Ballina Kosovë Mbi 1 miliard euro fonde “të ngrira”, kriza politike në Kosovë e...

Mbi 1 miliard euro fonde “të ngrira”, kriza politike në Kosovë e dëmtoi ekonomikisht në 2025

31
0

Kriza politike që përfshiu Kosovën gjatë vitit 2025 ka penalizuar buxhetin e shtetit, përveç pasojave që ka shkaktuar për familjet dhe bizneset. Qeveria e Kosovës nuk ka mundur të përfitojë rreth asnjë këst nga fondi prej 882 milionë eurove, në formën e granteve dhe kredive të buta, si pjesë e planit të rritjes së Bashkimit Europian. Gjithashtu, Kosova nuk përfitoi edhe rreth 120 milionë euro të tjera nga tre marrëveshje me Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim të Bankës Botërore.

Këto marrëveshje dështuan të miratohen në seancën e mbajtur më 19 nëntor të vitit të kaluar. Në total, janë mbi 1 miliard euro, fonde të cilat prej më shumë se një viti presin që të shfrytëzohen. Marrja e këtyre fondeve vazhdon të jetë peng i aprovimit nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa tashmë pritet konstituimi i Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Kosovës iu akorduan rreth 882 milionë euro dhe qeveria e ka miratuar agjendën e reformave dhe dihet se ku do të shpenzohen këto para. Mbi 90 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Financimit, mbështetje buxhetore për Kosovën nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim e Bankës Botërore, që synon përmirësimin e ligjit mbi financat publike dhe politikat fiskale.

Ndërkohë, 21 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Kredisë me Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim, për ndërtimin e çerdheve të reja, trajnimin e stafit dhe zbatimin e një skeme të kuponëve, ku familjet do të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në kopshte.

Ndërsa marrëveshja e Kredisë me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, e destinuar për zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor në Kosovë, ka vlerën e mbi 18 milionë eurove.

Fondet e Planit të Rritjes së BE-së kanë vlefshmëri deri në vitin 2027, por Kosova është shumë prapa me miratimin e marrëveshjeve dhe po i realizon me vonesë reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, qartësoi se do të ketë një shumicë të thjeshtë për konstituimin e Kuvendit prej 120 deputetësh dhe për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon të paktën 80 vota.