Ballina Aktualitet Viktima e parë e përmbytjeve, familjarët hedhin poshtë versionin e Bashkisë Durrës:...

Viktima e parë e përmbytjeve, familjarët hedhin poshtë versionin e Bashkisë Durrës: Humbi jetën ndërsa po punonte, kemi video dhe fakte

0
51

Pesë ditë pas ngjarjes tragjike të së martës, ku humbi jetën gjatë përmbytjeve në Durrës, familjarët e Astrit Hysenajt, 54 vjeç, kundërshtojnë pretendimet e Bashkisë së Durrësit se viktima kishte lënë punën herët për shkak të motit të keq dhe po kthehej në banesë në momentin kur u mor nga rrjedha e ujit dhe ra në kanal.

Sipas të afërmve, Astrit Hysenaj kishte shkuar në punë në orën 5:30 të mëngjesit, ashtu si çdo ditë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.

“Daja u nis në punë në 5.30 si normalisht. Familja tentoi ta ndalojë për shkak të situatës, por ai shkoi. Shqetësimi ynë nisi pasi nuk u kthye në punë dhe bëmë denoncimin. Pamë nga kamerat se deri në 8.25 ka qenë duke punuar te mbikalimi i Plepave”, u shpreh mbesa e  të ndjerit, Klodiana Bërsheni.

Familjarët theksojnë se deri në momentet e fundit të jetës, ai ka qenë në krye të detyrës dhe kërkojnë që çdo provë filmike pas asaj ore të bëhet publike.

“Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse diku ka ndonjë pamje filmike pas kësaj ore, le t’i vënë në dispozicion”, tha Osman Hysenaj, djali i xhaxhait të viktimës.

Sipas të afërmve, kanali ku Astrit Hysenaj u gjet pa jetë ndodhet pranë vendit ku ai është parë për herë të fundit.

“Kanali ku ka rënë është pranë vendit ku është parë për herë të fundit dhe rrjedha e ujit, kur të merr, të nxjerr aty ku u gjet. Nuk mund të përbaltet figura e tij duke thënë se nuk ka qenë në punë. Kërkojmë respekt për figurën e tij”, tha ndër të tjera mbesa e tij Klodiana

Pamjet filmike janë vënë në dispozicion të policisë për hetime të mëtejshme. Familjarët kërkojnë gjithashtu mbështetje ekonomike për familjen e viktimës, pasi Astrit Hysenaj ishte i vetmi që siguronte të ardhura. Në xhepin e tij, policia gjeti 10 mijë lekë të vjetra.

Të afërmit theksojnë se nuk fajësojnë askënd për ngjarjen e rëndë, por refuzojnë kategorikisht pretendimin se ai nuk ndodhej në punë në momentin e fatkeqësisë, duke e përshkruar Astrit Hysenajn si një njeri dhe punonjës korrekt e të përkushtuar ndaj detyrës.