Prokuroria e Tiranës pritet të marrë dëshminë e Emiljano Shullazit në paraburgimin 313 në Tiranë lidhur me atentatin te rrethrrotullimi i Rinasit ku u ekzekutua një prej anëtarëve më aktiv të grupit të tij kriminal, Gilmando Dani, njëherazi si dhe agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani alias Sheqeri. Lajmi konfirmohet nga burime pranë institucionit të akuzës që theksojnë se në ditët në vijim dy oficerë të vrasjeve do të marrin kontakt me Shullazin dhe do ta pyesin nëse ka dyshime se kush e ka organizuar atentatin ndaj mikut të tij. Nuk dihet nëse Emiljano Shullazi do të japë shpjegime, apo do të heshtë për hetuesit.
Gilmando Dani u ekzekutua tek rrethrrotullimi i Rinasit pak minuta pasi ishte kthyer nga Spanja ku kishte udhëtuar në shoqërinë e Muçi Shaljanit, Sheqerit.
Në pamje filmike shfaqen 3 qitës të cilët qëllojnë ndaj makinës ku udhëtonin Dani e Shaljani duke i lënë të vdekur. Automjeti i autorëve largohet më pas dhe u gjet i djegur në fshatin Halil.
Gjatë kësaj kohe, prokuroria ka marrë dëshminë e disa personave që shfaqen në Rinas, para, gjatë dhe pas ngjarjes, pasi ka dyshime se grupi kriminal ka pasur informator në aeroport që ka sinjalizuar për lëvizjet e Danit dhe agjentit të AMP-së. Lidhur me motivet, prokuroria po heton në disa pista, që nga përplasjet e Danit me grupet kriminale, gjobëvënia e deri te konfliktet që mund të ketë pasur ditët e fundit para se të ekzekutohej. Gilmando Dani ishte liruar në tetor të 2024 nga burgu ku vuajti një dënim për gjobënie në kuadër të grupit kriminal të drejtuar nga Shullazi.







