Edhe pse reshjet e shiut kanë pushuar, situata për banorët e zonës së ish-Kënetës vijon të mbetet e rënduar. Sot shënohet dita e gjashtë që kur përmbytjet përfshinë këtë zonë, ndërsa shumë banesa vazhdojnë të jenë ende nën ujë.
Uji është i pranishëm në një numër të madh shtëpish, kryesisht në katet e para, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Sipas banorëve, do të nevojitet kohë e gjatë që këto ambiente të thahen dhe të rikthehen në kushte të banueshme.
Shenjat e lagështirës janë të dukshme në muret e banesave, ndërsa banorët po përpiqen të përballojnë situatën me mjetet që kanë në dispozicion.
Me pompa uji dhe fshesa, ata po tentojnë të largojnë ujin e mbetur nga ambientet e brendshme dhe oborret e shtëpive.







