Sipas Ramës, ajo që po ndodh në Shqipëri nuk është as befasuese, as e veçantë. Një masë ajri e ftohtë nga veriu u përplas me një valë të ngrohtë nga Mesdheu dhe solli reshje intensive, një skenar që – siç tha ai – ka prodhuar pamje “apokaliptike” deri në Stamboll. Mesazhi ishte i qartë: nuk jemi vetëm, kështu është bota.
“Ndryshimi klimatik nuk është vetëm vapë vere, por edhe stinë të çrregullta, mot këmbëngulës, më shumë zjarre e më shumë përmbytje”, shpjegoi kryeministri, duke e quajtur këtë realitet “kuadratin e ri klimatik” dhe duke shtuar, me krenari, se shteti sot është më i përgatitur falë investimeve.
Është një mënyrë të foluri që të kujton menjëherë frazën e famshme të Elisa Spiropalit për ngjarje të tjera: ndodhin kudo në botë, bëhen edhe filma. Jo sepse bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje, por sepse mekanizmi është i njëjtë. Kur realiteti bëhet i rëndë, ai shndërrohet në narrativë; kur përgjegjësia afron, ajo zhvendoset diku larg, te klima, te harta, te bota.
Në këtë version të historisë, përmbytjet nuk janë pasojë e viteve me beton, lumenj të mbytur dhe kanale të harruara, por thjesht një episod i pashmangshëm i një filmi global. Drama është reale për njerëzit që nxjerrin ujin nga shtëpitë, por skenari zyrtar mbetet i njëjtë: këtu nuk ka fajtorë, vetëm mot. Dhe si çdo film i mirë, fundi mbetet gjithmonë i hapur.







