Ballina Kulturë Tek unë do qëndrojë – Poezi nga Xheni Krypi

Tek unë do qëndrojë – Poezi nga Xheni Krypi

27
0

Nga Xheni Krypi

1. Tek unë do qëndrojë

Dashuria për ty, diku larg,
kërkon të fluturojë,
por është zog i plagosur —
e do, s’do,
tek unë do qëndrojë.

E ndiej si dridhet në gjoks,
si frymëmarrje që s’gjen strehë,
si një fjalë e pathënë
që digjet në heshtje,
midis mallit e dhimbjes së ëmbël.

Në çdo agim, ajo zgjohet me mall,
rrëshqet nëpër kujtime si dritë mbi ujë,
prek hijen tënde në ëndrra,
dhe sërish më kthehet mua —
e lodhur, por besnike.

Në krahët e mi gjen strehën e humbur,
në zemrën time, pushimin e stuhive.
Dhe unë, me butësi, ia lidh plagët,
me fjalë,
me frymë dashurie.

Se dashuria e vërtetë,
s’është ajo që fluturon larg,
por ajo që, edhe pa krahë,
nuk ikën kurrë…
sepse di —
tek unë do qëndrojë.

2.Të kam takuar diku

Të kam takuar diku,
në një hap drejt së ardhmes —
ku drita e mëngjesit
përkëdhelte hijet tona.

Ti më buzeqeshe,
dhe mes asaj drite të qetë,
“të dua” kumboi
si jehonë e pastër zemre.

Nuk e di nëse fole ti atë çast,
apo zëri vinte prej meje,
nga ai vend i fshehtë
ku ndjenjat lindin pa fjalë

3. Pylli në vjeshtë

Nën këmbët e mia
gjethet gërrhishtin lehtë,
sikur përplasen njerëzisht:
“sht… sht… qetësi…”

Era i shkund me butësi,
si duar që përkëdhelin kujtimet.
Rrezet e arta bien nëpër degë,
si fjalë dashurie të humbura në ajër.

Një zog i vonuar këndon
për diellin që ikën ngadalë,
ndërsa unë ndjej aromën e dheut
që merr frymë nën petale gjetherënieje.

A mos vallë,
vetë pylli ka rënë në dashuri?
Me vjeshtën që e vesh me të artë,
me erën që i puth degët e zhveshura,
apo me heshtjen e vet që kumbon
si një zemër që rreh fshehur në gjethe

4.Vetëm

Guxova të luaja me detin,
si fëmijë që s’njeh frikë nga thellësia.
U zhyta në kaltërsinë e tij të pafund,
dhe dallgët, si gjigandë lozonjarë,
nisa t’i copëtoja me duar drite.

Por, papritur, një djalë —
ndoshta nga ëndrra a nga vetë deti —
erdhi e më zhyti thellë.
Në heshtjen nën ujë,
në botën ku fryma është kujtim,
pashë sytë e tij si dy rreze që digjnin,
dhe u dorëzova.

Kur dola në breg,
rëra më përqafoi si në lamtumirë,
e era më tha diçka që s’e kuptova dot.
I lodhur deti heshti,
dhe unë po ashtu.

Tani, ngadalë, në vetminë time,
e pyes veten çdo mbrëmje:
Njeriu i vetëm,
ç’është ai vallë?
Një valë që s’ka breg,
apo një zemër që s’mësoi të prehet