Ballina Kulturë Universi piktorial i Marjana Goxhabelliut

Universi piktorial i Marjana Goxhabelliut

32
0

Nga Ilir Muharremi 

Liria e shprehjes në art nxitë kulmin e bukurisë dhe për artistin bukuria qëndron jashtë të gjitha hierarkive ngase e bukura përpëlitet te kontrastet qofshin të formës ose te ngjyrës. Artistja nga Shqipëria Marjana Goxhabelliu, me largpamësinë e saj, pa barriera, jashtë çdo kornize akademike, fut në punë instiktin e saj estetik, kristalizon idenë në radhë të parë, e shndërron në koncept, e ringjallë gjatë kreativitetit, duke i dhënë konture të forta, përfitim ngjyrash, me strukturë të trashë, dhe boja bëhet filozofi në vete brenda një analize teorike që prapë e pohon të bukurën si renditja harmonike e formave dhe në tërësi kompozicionit. Estetika në pikturën e saj rrjedh nga instikti, e këtu pikërisht është kodi i së mirës për të cilën nuk ka nevojë arsye dhe analizë të thellë. Gjithçka që pëlqehet, në shpirt ka vlerë, e vlera përcaktohet nga lumturia e thellë shpirtërore e cila dhimbjen e përdorë si nxitje konflikti të kundërt për t’u shpikur dhe krijuar. Andaj forca krijuese e Goxhabelliut qëndron te këto dy pika, pastaj vjen lëvizja e ngjyrës si ajo kafe e dheut që shtrihet në pëlhurë dhjetë metra të gjatë. Aty ka efekt tonik, forcë, kënaqësi, kujtime të holla, aktualitet, të gjitha këto zbresin brenda gjendjes së saj shpirtërore. Krahë të zogjëve të plagosur, njolla gjaku si stërlaka në kanavacë. Duket si afreskë e lashtë që dekompozohet nën optikën tonë, por ja ka ca vizatime detaje grafike afërsi të këtyre zogjëve. Të jetuarit brenda kësaj vepre nuk imponon rregull që të mishërohesh, por aktivizon forcën e komunikimit, ngacmueshmërisë, psikomotorikës që i përket spiritualitetit. Vepra komunikon lëvizjen, shenja, mendime, shpejtësi dhe lojë. Kjo manifeston një regjistër kromatik të orientuar nga nuancat e ngrohta oksidore kafe, dhe portokalli të zbehura që funksionojnë si një patinë kohore mbi sipërfaqen piktoriale.

Forma lëviz në një fushë tensioni midis elementit biomorf dhe strukturës gjeometrike, kurbat organike dhe gjurmët lineare bashkohen me rrjeta, disqe dhe motive të përsëritura, duke prodhuar një sintaksë vizuale që artikulon memorie si materialitet. Simbolika nuk është e ilustruar por e implikuar, përsëritjet formale dhe shenjat e gravuara duhet lexuar si depozita ikonografike fragmente të një arkivi personal ose kolektiv të cilat kërkojnë një lexim hermeneutik të ngadaltë. Kompozicioni, megjithëse i ngarkuar me informacione vizuale, ruan një ekuilibër dinamik përmes linjës diagonale udhëzuese dhe kontrastit midis zonave të dendura dhe hapësirave qetësuese, nga ana teknike, vërehet përdorim i shtresimeve, duket sikur grafitim i teknikave të etshimit ose stampimit që i japin sipërfaqes një dimesionalitet afër-reliefor. Në harkun teorik, vepra qëndron te neo-surrealizmit dhe abstraksionit organik, duke i trajtuar format si shenja të depozituara në kohë më shumë sesa si paraqitje mimetike. Prania e zogjve të plagosur e zhvendos qendrën tematike të veprës drejt një reflektimi të thellë mbi vulnerabilitetin, dhunën e pashprehur dhe gjendjen e pezullt midis jetës dhe shuarjes. Zogu, tradicionalisht simbol i lirisë, shpirtit dhe transcendencës, këtu shfaqet i cenuar, trupi i fragmentuar, krahët e rënduar dhe gjurmët që sugjerojnë plagë ose ndërhyrje e zhveshin figurën nga funksioni i saj metafizik dhe e rikthejnë në një trup të ekspozuar ndaj forcave shkatërruese. Kjo zhvendosje semantike e kthen motivin e zogut në një figurë të dëshmisë jo të fluturimit, por të ndërprerjes së tij.

Plagosja nuk artikulohet si akt i drejtpërdrejtë narrativ, por si gjendje e shpërndarë në sipërfaqe, gjurmët, pikat, shtresimet dhe shenjat grafike funksionojnë si mbetje të dhunës, si indekse të një ngjarjeje që ka ndodhur jashtë kornizës pamore. Zogjtë duken të përfshirë në një mjedis që nuk i mbështet më hapësira nuk është qiell, por një terren i dendur shenjash dhe strukturash, çka sugjeron humbjen e habitatit simbolik dhe rrënimin e kushteve të lirisë. Në këtë kuptim, tema nuk është vetëm vuajtja individuale e qenies së gjallë, por shkatërrimi i një rendi ku fluturimi ishte i mundur.Në plan më të gjerë interpretativ, zogjtë e plagosur funksionojnë si metaforë e subjektit kolektiv të dëmtuar, trupat e tyre të ekspozuar dhe të fragmentuar mund të lexohen si trupa socialë ose historikë të goditur nga trauma, lufta ose dhuna strukturore. Përsëritja e figurës së zogut dhe shpërndarja e saj nëpër shtresa të ndryshme e përforcon idenë e një traume të përsëritur, jo të izoluar, por të depozituar në kujtesën vizuale. Zogu nuk është më shenjë e arratisjes, por një figurë e mbijetesës së brishtë, një trup që ende ekziston, por i privuar nga mundësia e plotë e veprimit.

Ja tek sodisë një pikturë tjetër të Goxhabellit, balanca ndërmjet tonalitetit të ftohtë blu dhe akcentit të ngrohtë portokalli prodhon një hibrid hapësinor ku thellësia optike ndërvepron me pulsin ritmik. Format rrjedhin në mënyrë më lirishëm duken si organike, unaza, harku dhe lëvizje të tjera rrethore krijojnë një morfologji kinetike që sugjeron cikle dhe ritme ,vizion që lexohet si ndërhyrje midis elementit natyror dhe atij mekanik. Kompozicioni i pikturës ndjek parimin e një rrjedhe qendrore që disiplinohet nga shpërndarja e masave formale, transparencat e shtresuara dhe kontrastet midis opakësisë dhe transparencës krijojnë një pulsim ritmik që i jep veprës dinamikë vizuale pa prishur koherencën. Teknikisht, vepra i afrohet modaliteteve të abstraksionit lirik dhe konstruktivizmit organik, duke përdorur stampime, gërvishtje të imëta dhe aplikime të shumëfishta pigmente që formojnë një tapiceri piktoriale kompleksë. Figurra e zogut në pjesën e poshtme të pikturës vëreht teksa ngritë kokën, sikur tenton të thotë diçka e zëri mëzi del. Poashtu në mes të pikturës një vazo ngjyrë kafe e shtrirë. Figurat sikur përplasen rreth njëra tjetrës e bashkohen në mes të pikturës dukund thellë në largësi.

Një punim tjetër duket si fushë dominuse me të verdhën e fortë që përcakton gjendjen emocionale të punës, e verdha funksionon si burim i dritës dhe si sinjal intensiteti, duke konstituuar një skenë ku figuracioni i fragmentuar ndërthuret me elemente si figura e kalit në lëvizje, kalëron me shpejtësi, vërej shpejtësinë ndonëse te “futuristat”. Brenda kësaj vepre krijohet një teksturë polifonike një polifoni vizuale që mund të lexohet si portret kolektiv ose si shtresim kujtimesh sociale. Ndërtimi i formave përmes ndërthurrjes së elementeve figurative të një abstraksioni është strategji e vetëdijshme për të artikuluar identitetin si një konstrukt i shtresuar, kështu, piktura nuk ofron një alegori të vetme por një fushë ku shumë histori dhe objekte dialogojnë në mënyrë të kthjelltë me ndërgjegje. Stilistikisht, vepra evoluon brenda spektrit të neo-figuracionit ekspresiv, ku densiteti i goditjeve piktoriale dhe aplikimet materiale ndërtojnë një sipërfaqe shumëpërmasore.

Krijimtaria e Goxhabelliut reflekton nga një liri dhe forcë e ngarkuar ndjenjash, formash, vizatime, stil drejt formimit të unitetit për të cilin koha është dëshmia më e saktë. Artistja sikur lundron drejt këtij shtegu, por gjithëherë artisti krijon hap të ri drejt njohjes së re. Është një përpunuese e vazhdueshme e tendencës së idelait të formës duke ndjek rregulla që shpirti i saj i pranon.