Këngëtari i njohur porto-rikan, Bad Bunny, po përballet me një padi gjyqësore, në të cilën një grua nga Porto Riko kërkon 16 milionë dollarë dëmshpërblim apo 14 milionë euro për përdorimin e paautorizuar të zërit të saj në dy prej këngëve të tij.
Sipas dokumenteve ligjore, regjistrimi i zërit është bërë në vitin 2018, në një kontekst jo-profesional, kur ajo pranoi të regjistronte një frazë me kërkesë të producentit Roberto Rosalido, me të cilin ishte njohur gjatë një kursi studimi.
Ajo pretendon se në asnjë moment nuk është informuar se regjistrimi do të përdorej për qëllime komerciale apo do të publikohej në këngë të shpërndara globalisht.
Zëri i saj u përdor për herë të parë në këngën “Solo de mi”, pjesë e albumit shumë të suksesshëm X100pre, të publikuar në vitin 2018, një nga projektet më të njohura të Bad Bunny.
Vite më vonë, i njëjti fragment audio u ripërdor në këngën “EeO”, e publikuar në vitin 2025 në albumin “Debi tirar mss fotos”.
Të dyja këngët kanë arritur miliona dëgjime në platformat digjitale, çka, sipas paditëses, përbën një përfitim të madh ekonomik nga përdorimi i zërit të saj pa pëlqim.
Gruaja thekson se nuk është nënshkruar asnjë kontratë dhe nuk është negociuar asnjë pagesë për përdorimin e zërit të saj për qëllime muzikore, promovuese apo reklamuese, duke e konsideruar këtë veprim si shkelje të të drejtave të saj personale dhe intelektuale.
Deri më tani, Bad Bunny nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave, ndërsa çështja po merr vëmendje të madhe mediatike, sidomos në një moment kur artisti po përgatitet për turneun e tij të radhës dhe për paraqitjen si ylli kryesor në spektaklin e pjesës të Super Bowl LX.







