Uji është tërhequr por situata në shtëpitë e përmbytura mbetet e vështirë dhe ngjan me një zonë lufte ku pas ka mbetur shkatërrim dhe dëshpërim.
Në Durrës situata mbetet e rëndë. Uji është larguar nga banesat, ndërsa në ato oborre uji ka ngrirë duke u transformuar në një ‘pistë akulli’ për shkak të temperatureve të ulëta që kanë përfshirë vendin.
Banorët kanë nisur të pastrojnë shtëpitë nga mobiljet, elektroshtëpiaket e dëmtuara. Syri Tv sjell pamjet me të cilat po përballen banorët e Durrësit.
Shumë familje janë detyruar të hedhin të gjitha mobiljet dhe elektroshtëpiaket sepse janë dëmtuar nga uji ku kanë qëndruar për disa ditë.
Ka familje që janë detyruar të kalojnë natën e ftohtë në shtëpitë bosh.
Dëmet e familjeve janë miliona lekë, pasi ka familje të cilat kishin marrë mobiljet dhe elektroshtëpiake të reja pasi ishin prekur nga përmbytja e parë.
Nga 5900 banesa të përmbytura, është bërë verifikimi në gati 2200 banesa.
Dëmet më të shumta janë shkaktuar në zonën e Shkozetit, Nishtullës, Kënetës, Sukth e Katundit të Ri, ku dalja e lumit Erzen shkaktoi problem të mëdha në këto zona.







