Ballina Aktualitet Elira Kokona, bedelja që përzuri EPAM-in nga Shqipëria

Elira Kokona, bedelja që përzuri EPAM-in nga Shqipëria

42
0

Elira Kokona ishte një emër i panjohur, jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për vet socialistët përpara se këta të fundit të vinin në pushtet në vitin 2013. Por zonja Kokona kishte fatin e madh të ishte në rrethin e Engjëll Agaçit. Kjo lidhje ishte çelësi që hapi dyert e karrierës gjithmonë në ngjitje të Kokonës, deri në majat e pushtetit e Rilindjes.

Fillimisht Kokona u emërua si sekretare e përgjithshme e ministrisë së Kulturës me Kumbaron. Më pas kaloi tek Drejtësia dhe më tutje zv/sekretare e përgjithshme e Kryeministrisë. Por ironia qëndronte në faktin se gjatë kohës që shërbente si zyrtare e lartë publike, zonja Kokona vazhdonte punën e saj si avokate ku përfaqësonte palët private kundër shtetit shqiptar në gjykatat ndërkombëtare. Megjithatë Shqipëria ka parë edhe me keq se kaq.

Bëmat e Kokonës kundër interesit publik do të rëndoheshin edhe më shumë, kur ajo u katapultua në krye të Koorporatës së Investimeve Shqiptare. E konceptuar në letër si një entitet që do të nxiste zhvillimin ekonomik të vendit, Korporata e Investimeve mori shumë shpejt fytyrën e drejtueses së saj duke u shndërruar në një zyrë matrapazësh, që tregton interesin publik në bursa private.

Nga pronat e bregdetit tek kullat e Tiranës, KISH u shndërrua në një agjenci imobiliare, e cila nuk ka asnjë lidhje me interesin publik. Sot Koorporata nuk ka asnjë projekt të saji me të cilin mund të krenohet, por ka shumë bëma për të cilat duhet t’i vijë turp. Durana është një prej tyre.

Në vitin 2022, pasi Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën, një nga kompanitë më të mëdha në botë në industrinë e softëareve, amerikanja Epam iu afrua qeverisë shqiptare me një projekt konkret. Për shkak të pasigurisë, EPAM kishte marrë vendimin të zhvendoste mijëra punonjës të degës së saj në Ukrainë në një tjetër vend. Drejtuesit e gjigandit amerikan kishin përzgjedhur Shqipërinë si opsionin më të preferuar.

Shefi i EPAM është takuar më shumë se një herë personalisht me Edi Ramën për këtë çështje. Kjo ishte dhe pikënisja e ligjit për Parqet Teknologjike dhe Shkencore. Më shkoqur akoma kjo ishte arsye se pse lindi Durana.

Por koha kalonte dhe bedelja vegjetonte. Për tre vite Korporata nuk arriti të vendoste asnjë tullë për ndërtimin e parkut të Duranës. Zonja Kokona nuk vendoste as ndërtimin e parkut me zhvillues privat, as ndërtimin e tij me fonde publike. Për rrjedhojë EPAM i vendosi ultimatum qeverisë shqiptare; ose bëj parkun ose ne do të zgjedhim një vend tjetër.

Përballë këtij ultimatumi, Kokona gjeti zgjidhjen magjike. E ktheu Duranën në park imagjinar. Pra një park pa kufij, pa ndërtesa, por thjesht një hapësirë virtuale si rrobat e mbretit. Kjo ishte shakaja që vendosi përfundimisht braktisjen e Shqipërisë nga Epam dhe ky ishte një nga dëmet më të mëdha që është bërë Shqipërisë vitet e fundit nga bedelzyrtaret, që janë njëkohësisht të paditura dhe të babëzitura.

Imagjinoni për një moment se si do të ishte Shqipëria nëse në Xhafzotaj do të kishin ardhur mijëra punonjës të EPAM. Thjesht për kronikë. EPAM realizon 5 miliardë dollarë të ardhura vjetore dhe numëron mbi 65 mijë punonjës.

Por kjo nuk është goditje teke. Kompanitë e këtyre përmasave janë si magnete që tërheqin njëri tjetrin. Ndoshta sot në Durrës mund të ishte dhe Amazon apo titanë të tjerë të teknologjisë. Në vend të kësaj, Kokona i bëri peshqesh Shqipërisë një shpellë virtuale pa taksa për hajdutët e AKSHI-t./kapitali