Ballina Bota ‘Meksika dhe SHBA diskutojnë sigurinë dhe…’/ Presidentja zbulon detaje nga telefonata me...

‘Meksika dhe SHBA diskutojnë sigurinë dhe…’/ Presidentja zbulon detaje nga telefonata me Trump

35
0

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi sot se ka zhvilluar një “bisedë të mirë” me presidentin amerikan Donald Trump, ku në fokus kanë qenë çështjet e sigurisë dhe lufta kundër trafikut të drogës.

Në një postim në platformën X, Sheinbaum bëri të ditur se dy liderët diskutuan për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, duke theksuar respektimin e sovranitetit të Meksikës, si dhe për përpjekjet e përbashkëta kundër trafikimit të narkotikëve. Po ashtu, në bisedë u trajtuan edhe temat e tregtisë dhe investimeve mes dy vendeve.

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij meksikan, Juan Ramón de la Fuente, ku theksoi nevojën për bashkëpunim më të fortë për shkatërrimin e rrjeteve të dhunshme të narkotrafikut dhe për frenimin e trafikut të paligjshëm të fentanilit dhe armëve. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tommy Pigott.

Këto zhvillime vijnë në një klimë tensionesh, pasi pak ditë më parë, në një intervistë për Fox News, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kartelët e drogës “qeverisin Meksikën” dhe paralajmëroi se forcat e armatosura amerikane mund të godasin objektiva tokësore në kuadër të fushatës kundër trafikut të drogës. Kjo ishte një nga deklaratat më të forta në një seri kërcënimesh për ndërhyrje ushtarake amerikane brenda territorit meksikan.

Në reagimin e saj, presidentja Sheinbaum theksoi se “bashkëpunimi dhe partneriteti në një kuadër respekti të ndërsjellë japin gjithmonë rezultate”.