Vincent W.J. van Gerven Oei
Në shtator 2025, gjatë prezantimit të qeverisë së tij të katërt radhazi, Kryeministri Edi Rama arriti të kapë për një çast vëmendjen e ciklit mediatik ndërkombëtar duke shpallur diçka që u paraqit si risi: një chatbot i sofistikuar me emrin “Diella”, i emëruar zyrtarisht Ministre Shteti për Inteligjencën Artificiale dhe i promovuar si “ministrja e parë e AI në botë”. Sipas Ramës, Diella do të garantonte që Shqipëria të bëhej “një vend ku tenderat publikë janë 100% pa korrupsion”. Siç duket, ajo mund të ketë arritur vërtet diçka të tillë.
Diella funksionon si pjesë e platformës qeveritare të shërbimeve digjitale e-Albania, e administruar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), të cilën ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e ka quajtur “kopshti privat i Ramës”. AKSHI, që varet drejtpërdrejt nga Kryeministria, ka qenë thelbësore për ndikimin që qeveria ushtron mbi peizazhin (social) mediatik shqiptar, për shembull përmes ndalimit të aksesit në platformën sociale TikTok gjatë ciklit të kaluar zgjedhor dhe përmes ndihmës në implementimin e fshehtë të programeve izraelite të spiunazhit.
Përmes AKSHI-t, Rama është në gjendje të menaxhojë drejtpërdrejt aksesin në internet dhe përmbajtjen digjitale brenda Shqipërisë, me shumë pak mbikëqyrje publike.
Megjithatë, javët e fundit nuk kemi dëgjuar shumë nga Diella dhe strategjitë e saj novatore për parandalimin e korrupsionit përmes inteligjencës artificiale, sepse më 16 dhjetor 2025, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, u arrestua nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Ajo u mor e pandehur së bashku me disa zyrtarë dhe biznesmenë të tjerë, nën akuza për korrupsion, pastrim parash, rrëmbim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndër krime të tjera. Që prej asaj kohe, ajo është vendosur në arrest shtëpie.
Karçanaj është një bashkëpunëtore afatgjatë e Ramës, e cila shfaqet për herë të parë në skenë si drejtoreshë e IT-së në Bashkinë e Tiranës në periudhën 2007–2011, kur Rama ishte kryetar bashkie. Pas fitores elektorale të Ramës në vitin 2013, ajo e ndoqi atë në nivel kombëtar dhe në tetor të po atij viti u emërua drejtoreshë e AKSHI-t. Në vitin 2017, AKSHI u vendos nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Kryeministrisë, ndërsa buxheti i saj u rrit në mënyrë marramendëse.
Dosja e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila çoi në fund të vitit të kaluar në marrjen të pandehur të Mirlinda Karçanajt dhe bashkëpunëtorëve të saj, i ka rrënjët në një sërë raportesh policore dhe hetimesh në dukje të palidhura mes tyre, që datojnë që nga viti 2023: zbulimi i një grupi të krimit të organizuar të përfshirë në kontrabandë dhe trafik mallrash; një çështje trafiku droge e ardhur nga Italia; rrëmbimi i një shtetasi shqiptar; si dhe raste korrupsioni dhe pastrimi parash të lidhura me procedurat e tenderimit në AKSHI.
Me kalimin e kohës, lidhjet mes këtyre çështjeve të ndryshme u bënë gjithnjë e më të qarta dhe ato u bashkuan në një hetim të vetëm, të gjerë dhe kompleks, nga i cili çështja aktuale përbën vetëm komponentin e parë.
Sipas SPAK-ut, Karçanaj dhe bashkëpunëtorët e saj:
organizuan dhe zbatuan një skemë për paracaktimin e fituesve të procedurave të prokurimit publik nën autoritetin e AKSHI-t, me qëllim përfitimin e paligjshëm nga fondet publike që rridhnin nga pagesat e lidhura me këto kontrata publike.
Kjo skemë përfshinte përcaktimin e paligjshëm të kritereve të konkurrimit në procedurat e prokurimit, të imponuara me synimin për të përjashtuar operatorë të caktuar ekonomikë nga gara, si edhe paracaktimin e fituesit, duke gjetur arsye të ndryshme për të skualifikuar ofertuesit e tjerë.
Deri në këtë pikë, kjo skemë është mjaft e ngjashme me atë të zbatuar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe bashkëpunëtorët e saj në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës. Dallimi, megjithatë, qëndron në faktin se në këtë rast SPAK ka arritur të dokumentojë edhe dhunën, e cila rezulton thelbësore për funksionimin praktik të një skeme të tillë.
Sipas dosjes së SPAK-ut, ndaj operatorëve ekonomikë të skualifikuar, të cilët ushtronin të drejtat e tyre duke paraqitur ankesa pranë Autoritetit Kontraktor dhe Komisionit të Prokurimit Publik, është përdorur dhunë dhe heqje e paligjshme e lirisë, me qëllim detyrimin e tyre për të tërhequr ankesat, si edhe për t’u tërhequr nga çdo procedurë tenderimi ku kishin marrë pjesë, në mënyrë që të sigurohej vijimësia e kësaj skeme.
Në fakt, dosja përmban një dëshmi të detajuar të viktimës, një biznesmen i fushës së IT-së, i cili kishte depozituar ankesa në disa procedura prokurimi dhe që, si pasojë, u rrëmbye një ditë nga një person i veshur me uniformë të BKH-së. Biznesmeni u prangos, iu mbulua koka dhe u dërgua me forcë në një fshat pranë Elbasanit, ku rrëmbyesit i morën telefonin celular dhe i kërkuan të bashkëpunonte, përndryshe do të qëllohej me armë.
Ende i paqartë për arsyet e rrëmbimit, biznesmeni pyeti se për çfarë konkretisht duhej të bashkëpunonte. Atëherë atij iu tregua një listë me shtatë tendera të AKSHI-t.
“E kupton tani?” – i thanë rrëmbyesit. – “Këto janë tenderat për të cilët ke bërë ankesa dhe nga të cilët duhet të tërhiqesh. Nuk na interesojnë paratë e tua; e dimë që i ke, shijoji. Por me këto procedura nuk ke punë dhe do të tërhiqesh prej tyre.”
Viktima u detyrua të telefononte administratorin e kompanisë së tij dhe të tërhiqte menjëherë të gjitha ankesat. Më pas, një anëtar bashkëpunëtor i komisionit të prokurimit konfirmoi tërheqjen e kompanisë në sistemin IT. Gjatë kthimit, rrëmbyesit i thanë:
“Mos na hap probleme. Nuk dua të shohim asnjë kallëzim nga ana jote, përndryshe do të vrasim ty, gruan tënde, motrën dhe nënën tënde, meqë nuk ke baba.”
Të gjitha procedurat e tenderimit nga të cilat biznesmeni i rrëmbyer u detyrua të tërhiqej përfshinin kompani të lidhura me një biznesmen të vetëm: Ermal Beqiri, i cili tashmë është marrë i pandehur në të njëjtën çështje.
Në fakt, dosja e SPAK-ut përmban prova nga disa regjistrime video, të realizuara nga një biznesmen tjetër, Ergys Agasi, në zyrën e tij, ku dokumentohen takime mes tij, Karçanajt dhe Beqirit, gjatë të cilave shprehen shqetësime lidhur me tenderat ku ishte përfshirë kompania e biznesmenit që më pas u rrëmbye, me porosi të vetë Agasit.
Mekanizmi i skemës së ndërtuar nga Karçanaj, Beqiri dhe Agasi funksiononte si vijon.
Beqiri zotëronte një kompani IT, Soft & Solution, e cila merrte pjesë në tenderat e shpallur nga AKShI, institucioni i drejtuar nga Karçanaj. Vlera e këtyre tenderave fryhej artificialisht dhe gara manipulohej në mënyrë të tillë që kompania e Beqirit të dilte gjithmonë fituese.
Më pas, kompania fiktive e Agasit, EA Solution, e cila merrte me qira ambientet, infrastrukturën IT dhe stafin nga Soft & Solution, lëshonte fatura fiktive ndaj kësaj të fundit, me qëllim që teprica e fryrë e fondeve nga kontratat e AKShI-t të nxirrej jashtë.
Beqiri ruante imazhin e drejtuesit të një kompanie IT të suksesshme, ndërsa Agasi përfitonte pjesën kryesore të parave.
Gjatë periudhës 2023–2025, vetëm vlera e faturave fiktive të lëshuara nga EA Solution ndaj Soft & Solution kapte shifrën mbi 1 milion euro. Dhe ky ishte vetëm një nga kanalet përmes të cilave grupi kriminal përfitonte fonde publike të destinuara për kontrata publike që lidhen me:
· platformën e-Albania,
· qendrat e të dhënave (data centers),
· sistemet kompjuterike të Policisë së Shtetit, Thesarit dhe burgjeve,
· sisteme të avancuara sigurie dhe komunikimi digjital,
· etj.
Përmes një skeme të ngjashme, EA Solution lëshoi fatura fiktive edhe ndaj një kompanie tjetër, Fastech, në vlerën mbi 23 milionë euro.
Për më tepër, EA Solution nuk ishte pika e vetme përfundimtare e rrjedhës së vazhdueshme të parave nga kontratat e AKShI-t drejt grupit kriminal. Si Soft & Solution, ashtu edhe Fastech rezultojnë të kenë qenë të përfshira edhe me një kompani importi ushqimor, ndaj së cilës janë paguar fatura fiktive në vlerën rreth 10 milionë euro, për gjoja “biskota dhe çokollata”.
Kontrolli mbi procedurat e tenderimit të AKShI-t duket se ishte plotësisht në duart e Karçanajt, si drejtoreshë e institucionit, dhe të zëvendëses së saj. Veçanërisht, AKShI shpallte në mënyrë arbitrare disa kontrata si “të klasifikuara”, duke kërkuar certifikime specifike sigurie, çka lejonte skualifikimin e menjëhershëm të çdo operatori që nuk i zotëronte ato.
SPAK konkludon se Karçanaj, Agasi, Beqiri dhe bashkëpunëtorët e tyre kishin “nën kontroll të plotë të gjitha procedurat e prokurimit, që nga hartimi i termave të referencës, kritereve specifike të kualifikimit, analiza e tregut, deri te shpallja e fituesit.”
Në këtë proces, ata “frynin në mënyrë fiktive buxhetin maksimal”, duke i shkaktuar potencialisht dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit, konkretisht duke kërkuar blerjen e pajisjeve me çmime disa herë më të larta se vlera reale e tregut.
Megjithatë, shumë pyetje mbeten ende të hapura.
Me çfarë mekanizmi u shpërblye Karçanaj për rolin e saj në këtë skemë korrupsioni?
Si përfundonin paratë nga kompanitë e Agasit në xhepat e tij personalë?
Për çfarë u përdorën më pas këto fonde?
A ishte kjo e vetmja skemë apo ekzistonin edhe grupe të tjera kriminale që përdornin mekanizma të ngjashëm për drenimin e fondeve të prokurimit publik?
Të gjitha këto – dhe shumë çështje të tjera – mbeten për t’u zbardhur.
Edhe pse hetimi i SPAK-ut mbi skemën e korrupsionit në AKShI, i marrë më vete, ngre shqetësime serioze lidhur me cilësinë dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës bazë të IT-së së Shqipërisë — sisteme kyçe që janë ndërtuar dhe mirëmbajtur nga kompani që nuk rezultojnë domosdoshmërisht më të kualifikuarat — ai njëkohësisht rrit ndjeshëm ekspozimin politik dhe penal të vetë Kryeministrit.
Marrja e pandehur e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe e Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka qenë një goditje e rëndë për rrethin e tij më të afërt. Mbetet një rrezik real që njëri prej tyre — ose të dy — në një moment të caktuar të zgjedhin të dorëzojnë prova kundër Edi Ramës për të ulur dënimin e tyre, nëse nuk e kanë bërë tashmë. Një rrezik shtesë, po aq serioz, qëndron te informacioni që zotëron Ergys Agasi, i cili vazhdon të jetë në arrati.
Nga hetimi i SPAK-ut mësojmë — thuajse si një shënim anësor — se Agasi ka pasur kontakte të mëparshme me ish-deputetin socialist Alqi Bllako, tashmë i dënuar në kuadër të aferës së inceneratorit të Tiranës. Dosja përmban mesazhe tekstuale mes Agasit dhe Bllakos, në të cilat Agasi kërcënon se do të “dërgojë ca çuna” tek ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri, për shkak të pengesave që ky i fundit dyshohet se i kishte krijuar veprimtarisë së tij kriminale.
Po ashtu, dosja ofron prova paraprake për lidhjet e Agasit me grupin kriminal Çopja, i cili së fundmi është goditur me sukses nga SPAK. Me fjalë të tjera, Agasi del nga kjo dosje si një figurë nyjëzuese, që lidh disa prej çështjeve më të mëdha të korrupsionit dhe mafies të zbardhura nga hetimet e BKH-së dhe SPAK-ut në vitet e fundit. Kjo i jep një bazë reale deklaratës së ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili gjatë një interviste për RAI3 vitin e kaluar e cilësoi Agasin si “koordinatorin e të gjitha grupeve [kriminale]” në emër të Kryeministrit Rama.
Dosja e korrupsionit të AKShI-t përmban vetëm një pjesë të vogël të informacionit total që SPAK ka mbledhur gjatë kontrolleve në ambientet e kompanisë së Agasit. Veçanërisht, rreth 130 regjistrimet video që ai dyshohet se ka realizuar në zyrën e tij përbëjnë potencialisht një minierë ari për hetime të mëtejshme, dhe paraqesin një rrezik real për nivelet më të larta të qeverisë, Partisë Socialiste, si dhe për botën e biznesit dhe krimit në Shqipëri.
Me disa ish-ministra dhe kryebashkiakë socialistë në paraburgim ose të dënuar, dhe me drejtuesit e disa institucioneve kyçe — si Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe tashmë edhe AKShI — të vendosur në arrest shtëpie, në një moment të caktuar thjesht mbarojnë zyrtarët e lartë për t’u marrë të pandehur.
Në një të ardhme jo shumë të largët, ndoshta pasi edhe disa ministra të tjerë të paraqiten në SPAK për t’u marrë në pyetje apo për t’u arrestuar, personi i vetëm i arsyeshëm që mbetet për t’u marrë i pandehur është ai që duhet të mbajë përgjegjësinë përfundimtare për këtë gjendje katastrofike: Kryeministri i vendit.
Në fakt, të gjitha hetimet e fundit të SPAK-ut kanë zgjeruar rrethin e ekspozimit penal dhe politik të zyrës më të lartë të shtetit. Procesi i integrimit europian — për momentin — e mban Ramën të frenuar sa i përket çdo ndërhyrjeje ligjore që mund të dëmtonte kapacitetet e SPAK-ut. Por, ndërsa rrjeta shtrëngohet, gjithnjë e më shumë do të varet vetëm nga ky presion diplomatik nëse kjo betejë do të shkojë deri në fund.







