Policia ekuadoriane tha të dielën se ka hapur një hetim për zbulimin e pesë kokave njerëzore të lëna të varura në sy të publikut, së bashku me një mesazh kërcënues, në një plazh turistik në pjesën jugperëndimore të vendit, i cili është goditur nga një valë dhune ditët e fundit.
Zbulimi makabër u bë në Puerto Lopez, në provincën Manavi, një destinacion popullor për vëzhgimin e balenave, ku nëntë persona, përfshirë një foshnjë, u vranë në fund të dhjetorit në një seri incidentesh që autoritetet ia atribuojnë konflikteve të bandave.
Dje, imazhet që qarkulluan në mediat sociale treguan pesë kokat e varura me litarë në dy shtylla druri në plazh, përballë detit. Pranë tyre, një tabelë në një dërrasë druri kërcënonte anëtarët e bandës që shantazhojnë tregtarët dhe banorët për të nxjerrë pagesa për mbrojtje të supozuar.
Ekuadori, midis dy vendeve me eksportet më të mëdha të kokainës në botë, Kolumbisë dhe Perusë, po përjeton një përshkallëzim të frikshëm të dhunës për shkak të konflikteve midis bandave të lidhura me kartelet meksikane dhe kolumbiane.
Pavarësisht luftës së shpallur kundër bandave nga Presidenti ekuadoras Daniel Noboa, në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, në vendin me pak më shumë se 18 milionë banorë u kryen më shumë se 4,600 vrasje, një numër që u rrit me 47% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024.







