Ballina Aktualitet Qeveria shtetëzon sterilizimin

Qeveria shtetëzon sterilizimin

28
0

Qeveria shqiptare ka vendosur të rikthejë në shtet shërbimin e sterilizimit të instrumentave kirurgjikal pas përfundimit të koncesionit korruptiv të sterilizimit. Në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të posaçëm për krijimin e shoqërisë aksionare Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit.

Sipas vendimit, objekti i shoqërisë shtetërore do të jetë ofrimi i shërbimit të sterilizimit.

“Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare OSHIS sh.a. është 200 milionë lekë,” thuhet në vendimin e qeverisë. Kompania e re shtetërore do të marrë në pronësi të gjitha investimet e lëna nga koncesionari Saniservice.

Qeveria shtetëzon sterilizimin

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i kalon pa pagesë shoqërisë aksionare asetet dhe të drejtat, që i kalojnë shtetit pas përfundimit të kontratës së koncesionit, në përputhje me parashikimet e saj dhe e të legjislacionit në fuqi,” thuhet në vendim.

Koncesioni i sterilizimit është dhënë në vitin 2016. Ai është koncesioni më i kushtueshëm i katër koncesioneve në fushën e shëndetësisë. Sipas të dhënave nga ministria e Financave, 2016 deri në vitin 2025 kosto totale e sterilizimit ka arritur në rreth 160 milionë euro.

Por përvec kësaj, ky koncesion është damkosur tashmë zyrtarisht si një aferë korruptive, që çoi në arrestimin e ish zv/ministrit të shendetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj.