Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka anuluar takimet me zyrtarët iranianë dhe i ka inkurajuar protestuesit të vazhdojnë demonstratat, duke thënë se “ndihma është duke ardhur” mes një shtypjeje brutale nga Teherani.
Të paktën 1,850 protestues janë vrarë në më shumë se dy javë demonstrata, sipas një grupi të të drejtave me bazë në SHBA, shkruan CNN, transmeton KosovaPress.
Trump do të takohet sot me ekipin e tij të lartë të sigurisë kombëtare për të diskutuar opsionet e tij në Iran, pasi njoftoi një tarifë prej 25% për vendet që bëjnë biznes me Iranin. Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se beson që regjimi iranian mund të përballet me “ditët dhe javët e fundit”.
Disa përdorues të telefonisë fikse dhe celulare në Iran kanë qenë në gjendje të telefonojnë jashtë vendit për herë të parë më shumë se katër ditë pasi qeveria mbylli komunikimet. Por qasja në internet mbetet e ndërprerë për të pestën ditë me radhë.







