Në një deklaratë për mediat nga ambientet e paraburgimit “Jordan Misja”, avokati i Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka denoncuar trajtimin e papranueshëm të klientit të tij, duke theksuar se izolimi i Metës është i pa precedent dhe i ngjashëm me praktikat autoritare të shteteve si Rusia dhe Bjellorusia.
Cakrani kritikoi ashpër vonesat në procesin gjyqësor, duke theksuar se kanë kaluar katër muaj e gjysmë që nga përfundimi i hetimeve, por seanca paraprake ende nuk ka nisur, çka përbën një shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut. Ai theksoi se paraburgimi i Metës tashmë është kthyer në një burg të plotë, që cenon rëndë liritë dhe të drejtat e tij.
Në vijim, avokati Cakrani hodhi akuza të forta ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke e cilësuar atë të shantazhuar dhe të ndikuar nga faktorë të jashtëm. Ai theksoi se kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë u refuzua, duke e parë këtë si një shkelje të drejtësisë.
Cakrani prezantoi gjithashtu një analizë financiare që e paraqet pasurinë e Metës si “zero”, duke hedhur poshtë akuzat e prokurorisë për pasuri të paligjshme dhe duke e portretizuar Metën si një patriot të ndershëm. Ai përfundoi duke theksuar se ky proces është një dështim i thellë i drejtësisë dhe se po përdoret për të goditur një lider opozitar me historik të njohur politik.
Pjesë nga deklarata:
Për të shpjeguar disa rrethana të reja në lidhje me çështjen e presidentit, zotit Meta, duam të theksojmë se këto rrethana kanë dalë pas 15 muajsh. Zoti Meta, si person që ka udhëhequr, drejtuar dhe menaxhuar këtë vend, ka një detyrim moral për të komunikuar me publikun, përmes avokatëve të tij, pasi ai është tashmë i izoluar, në një izolim total, të paprecedent, kjo situatë sot në Europën demokratike.
Ky izolim mund të krahasohet vetëm me situatat në Rusinë e Putinit, Bjellorusinë e Lukashenkos, regjimin e Erdoganit dhe Teheranin e Ajatullarëve, që tani e gjejmë edhe në Tiranë. Pra, presidenti i Partisë së Lirisë, zoti Meta, i cili është gjithashtu numri dy i opozitës dhe lideri i partisë opozitare parlamentare, nuk ka mundësinë të komunikojë me qytetarët, me kolegët, me bashkëpunëtorët dhe me të gjithë ata që ai duhet të flasë. Padyshim, ai nuk ka mundësi të komunikojë as me median.
Gjithsesi, kjo është ana politike e situatës. Problemi është se hetimet për çështjen kanë përfunduar që më 4 gusht 2025. Dhe prej 28 gusht 2025, zoti Meta është në seancën paraprake. Kjo do të thotë që një seancë e tillë duhet të përfundojë ligjërisht brenda një muaji dhe pastaj çështja mund të pushohet, të kthehet për hetim të mëtejshëm ose të kalojë në gjykim themelor.
Për tani, jemi katër muaj e gjysmë që nuk kemi nisur seancën paraprake. Kjo është një shkelje e rëndë e ligjit procedural penal, e Kushtetutës dhe e Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut. Kjo ka rënduar më shumë situatën e drejtësisë, e cila tashmë është kthyer në një drejtësi inkuizitore.
Unë dhe kolegu im kemi bërë një kërkesë për zëvendësimin e masës, duke marrë parasysh të gjitha këto rrethana, për të dhënë pamjen e një drejtësie që funksionon. Kjo kërkesë nuk është bërë për të nxjerrë ose për të zëvendësuar masën ndaj presidentit, por për të siguruar se drejtësia funksionon. Megjithatë, gjyqtarja Irena Gjoka, që besoj se është e shantazhueshme dhe në hall të madh, nuk e pranoi kërkesën dhe e ka rrëzuar atë.
Gjithsesi, ne do të vazhdojmë, sepse kjo është një betejë ligjore. Padyshim, do të kalojmë në shkallë të tjera gjykimi. Kjo është arsyeja pse e kam përmendur këtë rezyme për të theksuar se presidenti Meta, sot, është në kushte paraburgimi që kanë kaluar çdo lloj standarti ligjor, kushtetues dhe padyshim humane. Kjo ka cënuar rëndë lirinë dhe të drejtat e një njeriu.
Po flasim për një president të Republikës, i cili është aktualisht kryetari i dytë i partisë opozitare. Kur drejtohet drejtësia me një personazh të tillë, që ka një histori të pasur politike dhe pluraliste 34-vjeçare, imagjinoni çfarë mund të ndodhë me qytetarët e thjeshtë.
Ne nuk jemi këtu për të bërë viktimën, por për të shprehur të drejtën tonë, sepse ndaj zotit Meta është hedhur një baltë e madhe. E sulmuan për reformën në drejtësi, e sulmuan me gjykatën kushtetuese, e akuzuan për lidhje me sigurimin e shtetit dhe tani, pas dështimeve të tjera, duan ta arrestojnë dhe ta mbajnë në burg.
Paraburgimi i tij është kthyer në një burg të vërtetë. Kjo është një cënim i rëndë i lirisë dhe të drejtave të tij. Ne kërkojmë vetëm një standard minimal për një shtet demokratik, asgjë më shumë. Ne nuk kërkojmë standarde si ato të Francës, Italisë ose Gjermanisë, por vetëm një trajtim të drejtë dhe të barabartë për çdo qytetar.
Për sa i përket pasurisë së zotit Meta, ajo është zero. Ai ka punuar me dinjitet dhe ka shërbyer për të mirën e këtij vendi. Të gjitha analizat financiare që kemi bërë, jo ato të prokurorisë, tregojnë se ai ka jetuar një jetë të pastër dhe të ndershme. Dhe çdo përpjekje për ta shpifur, me akuza që kanë qëllime të tjera, nuk ka asnjë mbështetje.
Në fund, presidenti Meta ka qenë një patriot i ndershëm dhe një lider që nuk ka dhënë koncesione apo PPP, dhe nuk ka bërë asgjë që mund të vëjë në dyshim integritetin e tij. Ky është një njeri që e ka shërbyer kombin dhe e ka bërë këtë me dinjitet.







