Manchester City hodhi një hap të madh drejt finales së Carabao Cup, duke fituar kontrollin e gjysmëfinales së parë ndaj Newcastle United në “St James’ Park”. Golat e Antoine Semenyo-s dhe Rayan Cherki-t i dhanë fitoren ekipit të Guardiolës, që kthehet në “Etihad” me një avantazh të rëndësishëm.
Sfida nisi me ritëm të lartë dhe Newcastle pati dy raste të arta për të kaluar në avantazh. Yoane Wissa u ndal nga James Trafford, i cili devijoi goditjen e tij me kokë në traversë, ndërsa pak çaste më vonë Bruno Guimarães goditi shtyllën me një gjuajtje të fuqishme nga distanca. I njëjti Wissa shpërdoroi edhe një tjetër mundësi të artë, duke dërguar topin mbi traversë nga afër.
Manchester City u tregua më cinik dhe në minutat vendimtare të pjesës së parë kaloi në avantazh. Jeremy Doku kroson nga e majta, Bernardo Silva devijon topin dhe Antoine Semenyo, i transferuar vetëm pak ditë më parë nga Bournemouth, ndodhet në vendin e duhur për të realizuar në shtyllën e dytë. Sulmuesi pati edhe një gol tjetër të anuluar më vonë.
Newcastle kërkoi reagimin, por u ndëshkua sërish në fundin e ndeshjes. Në minutat shtesë, Rayan Cherki, i futur nga stoli, lëshoi një goditje të fortë dhe të saktë, duke dyfishuar shifrat dhe duke mbyllur praktikisht llogaritë e këtij takimi.
Manchester City, fitues tetë herë i Carabao Cup, siguron kështu një avantazh bindës përpara ndeshjes së kthimit, e cila do të luhet më 4 shkurt në “Etihad”. Newcastle, nga ana tjetër, mbetet me keqardhjen për rastet e humbura dhe do të duhet një mrekulli për të përmbysur rezultatin.







