Ballina Ekonomia Çfarë parashikon ligji i ri për koncesionet: garanci deri në 5%, tarifë...

Çfarë parashikon ligji i ri për koncesionet: garanci deri në 5%, tarifë koncesionare dhe kufi 50% për nënkontraktimin

0
19

Botohet në Fletoren Zyrtare ligji i ri “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i cili hyn në fuqi 9 muaj më pas, me përjashtim të përcaktimit për nxjerrjen e akteve nënligjore, i cili fillon të zbatohet pas 15 ditësh.

Çfarë duhet të përmbajë kontrata

Garancitë financiare 

Sipas nenit 53, para nënshkrimit të kontratës, ofertuesi më i suksesshëm duhet të paraqesë garancitë e realizimit të kontratës. Për PPP-të e shërbimeve publike, sigurimi i kontratës është deri në 5% të vlerës së kontratës dhe mund të reduktohet gjatë ekzekutimit, por kurrë nën 25% të vlerës fillestare të sigurimit. Për PPP-të e punëve publike, sigurimi është deri në 5% të vlerës së ndërtimit dhe, pas periudhës së ndërtimit, deri në 5% të vlerës së mbetur të kontratës. Autoriteti kontraktues ka detyrimin të verifikojë rregullisht vlefshmërinë e këtyre instrumenteve.

Tarifa e koncesionit dhe përjashtimet

Ligji rregullon tarifën e koncesionit, e cila aplikohet vetëm nëse është parashikuar në studimin e fizibilitetit dhe në dokumentet e tenderit. Ligji përjashton shprehimisht nga tarifa koncesionare koncesionet dhe PPP-të në fushën e shëndetësisë dhe të sportit. Tarifa paguhet sipas rregullave të ministrit përgjegjës për financat dhe është pjesë e të ardhurave të buxhetit të shtetit dhe/ose të buxheteve vendore. Në rast mospagese, urdhri i ministrit përbën titull ekzekutiv për bankat e nivelit të dytë.

Afati i kontratës dhe kufizimet kohore

Kontrata lidhet për një periudhë të caktuar, e cila vlerësohet në bazë të punëve ose shërbimeve. Për kontratat që zgjasin më shumë se 5 vjet, afati maksimal nuk duhet të kalojë kohën e arsyeshme për rikuperimin e investimeve dhe një kthim mbi kapitalin e investuar. Afati fillon nga data e hyrjes në fuqi të kontratës dhe mund të zgjatet vetëm në rastet e parashikuara nga ligji.

Ligji lejon ndryshimin e kontratës jo më herët se 2 vjet nga fillimi i zbatimit, nëse kjo është parashikuar në dokumentet fillestare. Ndryshimet pa procedurë të re lejohen vetëm në raste të caktuara dhe, në disa raste, nuk duhet të kalojnë 50% të vlerës së kontratës fillestare. Çdo ndryshim kërkon miratim paraprak nga ministria përgjegjëse për financat.

Transferimi i kontratës te një subjekt i tretë lejohet vetëm me pëlqimin paraprak me shkrim të autoritetit kontraktues dhe të ministrisë së financave, pa cenuar vazhdimësinë dhe cilësinë e zbatimit. Në rastet që kërkojnë mbështetje financiare ose mbartin risqe fiskale, transferimi miratohet edhe nga Këshilli i Ministrave.

Nënkontraktimi dhe kufiri 50%

Sipas dispozitës ligjore, nënkontraktimi nuk duhet të tejkalojë 50% të vlerës së përgjithshme të kontratës. Autoriteti kontraktues miraton nënkontraktorët përpara lidhjes së nënkontratës dhe operatori ekonomik kryesor mbetet plotësisht përgjegjës për zbatimin e kontratës, pavarësisht nënkontraktimit. Parashikohet edhe mundësia e pagesave të drejtpërdrejta ndaj nënkontraktorëve, me miratimin me shkrim të kontraktorit kryesor.

Detajimi i llogaritjes së vlerës së koncesionit/partneritetit publik privat

Autoriteti kontraktues llogarit vlerën e parashikuar të koncesionit/partneritetit publik privat si xhiro totale e koncesionarit të krijuar gjatë kohëzgjatjes së kontratës, pa TVSH, për punët dhe shërbimet që janë objekt i koncesionit/partneritetit publik privat, si dhe për mallrat që lidhen me këto punë dhe shërbime.

Pra, nëse vlera e koncesionit/partneritetit publik privat në kohën e dhënies është më shumë se 20 % më e lartë se vlera e tij e parashikuar, vlerësimi i vlefshëm është vlera e koncesionit/partneriteti publik privat në kohën e dhënies së tij. Ky vlerësim është i vlefshëm në momentin kur dërgohet njoftimi i koncesionit/partneritetit publik privat ose në momentin kur autoriteti kontraktues ose enti kontraktues fillon procedurën e dhënies së koncesionit/partneritetit publik privat.

Vlera e parashikuar e koncesionit/partneriteti publik privat llogaritet në bazë të të dhënave që përmban studimi i fizibilitetit përkatës të koncesionit/partneritetit publik privat. Vlera e parashikuar e koncesionit llogaritet duke përdorur një metodë objektive të përcaktuar në dokumentet e koncesionit.

Gjatë llogaritjes së vlerës së parashikuar të koncesionit, autoritetet kontraktuese dhe entet kontraktuese, sipas rastit, marrin parasysh në veçanti: vlerën e çdo forme opsioni dhe çdo zgjatje të kohëzgjatjes së koncesionit; të ardhurat nga pagesa e tarifave dhe gjobave;  pagesat ose çdo avantazh financiar; të ardhurat nga shitja e çdo prone që është pjesë e koncesionit; vlerën e të gjitha mallrave dhe shërbimeve që vihen në dispozicion të koncesionarit etj.

Vlera e parashikuar e kontratës së partneritetit publik privat në formën e kontratës së punës ose shërbimit publik do të llogaritet sipas përcaktimeve në legjislacionin e prokurimit publik.

Po kështu, ligji parashikon se kur një punë ose shërbim i propozuar mund të rezultojë në dhënien e koncesioneve në formën e loteve të veçanta, do të merret parasysh vlera totale e vlerësuar e të gjithë këtyre loteve. Ndërsa, kur vlera e agreguar e loteve është e barabartë ose e kalon kufirin monetar të përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, atëhere do të zbatohen rregullat e përcaktuara në këtë ligj për dhënien e secilit lot.

Koncesionet e rezervuara dhe shërbimet e kërkimit dhe zhvillimit

Ligji parashikon për herë të parë koncesionet e rezervuara, që nënkupton rezervimin e së drejtës së pjesëmarrjes në procedurat e dhënies së koncesioneve operatorëve ekonomikë, qëllimi kryesor i të cilëve është integrimi social dhe profesional i personave me aftësi të kufizuara ose personave në nevojë ose të parashikojnë që këto kontrata të zbatohen në kontekstin e programeve për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, me kusht që të paktën 30% e punonjësve të këtyre operatorëve ekonomikë ose programeve janë persona me aftësi të kufizuara ose persona në nevojë, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

Gijthashtu parashikohet se ligji do të zbatohet gjithashtu vetëm për koncesionet e shërbimeve të kërkimit dhe zhvillimit, për të cilët plotësohen të dy kushtet e mëposhtme: përfitimet i përkasin ekskluzivisht autoritetit kontraktues ose entit kontraktues që t’i përdorë për kryerjen e punëve të veta; dhe shërbimi i ofruar shpërblehet tërësisht nga autoriteti kontraktues ose enti kontraktues.

Shërbimet për të cilat do të përfitojë ekskluzivisht autoriteti kontraktues do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. /ekofin.al