Ballina Dossier Ish-gardiani i 313-ës: Ju rrëfej ditët e burgut të Ramiz Alisë

Ish-gardiani i 313-ës: Ju rrëfej ditët e burgut të Ramiz Alisë

9
0

Besnik Meta, ish-gardian në burgun famëkeq 313 të Tiranës, ka rrëfyer për herë të parë publikisht detaje tronditëse dhe të panjohura nga ditët e burgimit të Ramiz Alisë, presidentit të parë të Shqipërisë pas rrëzimit të komunizmit. Në emisionin Dekalog nga gazetari Roland Qafoku, Meta sjell një dëshmi të rrallë mbi jetën në qeli të pasardhësit të Enver Hoxhës, pas rrëzimit të komunizmit.

Ramiz Alia u arrestua fillimisht më 12 shtator 1992 për çështjen e njohur si “gjyqi i kafeve” dhe më 19 gusht 1993 u dërgua në burgun 313, ku qëndroi rreth dy vjet. Fillimisht u dënua me 9 vite burg, dënim që më pas u ul në 5 dhe në fund në 3 vite, derisa u lirua më 7 korrik 1995.

Duke kujtuar ditën e parë të hyrjes së Ramiz Alisë në qeli, Besnik Meta tregon:
“Ishte 67–68 vjeç. E pashë shumë të qetë. Nuk pati asnjë reagim emocional, sikur e kishte pritur këtë moment.”

Sipas ish-gardianit, Alia ruante një regjim strikt ditor.
“Zgjohej herët, pinte çaj, lexonte dhe shkruante çdo ditë. Ajrimin e bënte rregullisht dhe shpesh dilte vetëm,” thotë Meta, duke shtuar se ish-presidenti nuk kërkoi kurrë trajtim të veçantë:
“Hante nga kazani i burgut, njësoj si të tjerët. Nuk kërkonte privilegje.”

Një detaj i pazakontë ishte leximi i Biblës në qeli.
“Edhe pse ishte ateist, ai lexonte Biblën. Ia kishin sjellë misionarë të huaj. Diskutonte shpesh për filozofi, histori dhe libra,” rrëfen Meta.

Ai tregon se Ramiz Alia mbante shënime të përditshme:
“Shkruante vazhdimisht. Ishte i bindur se një ditë do t’i botonte. Më vonë ato u bënë ‘Ditari i Burgut’.”

Marrëdhëniet me ish-anëtarët e Byrosë Politike ishin të ftohta.
“Nuk rrinte me ta. Qëndronte i veçuar,” thotë Meta, duke kujtuar edhe një episod ironik:
“Rita Marko i tha një herë: ‘Ramiz Alia, edhe në burg na e ke me hile’.”

Sipas ish-gardianit, një nga dhimbjet më të mëdha të Alisë ishte humbja e bashkëshortes.
“E vuante shumë. Thoshte shpesh: ‘Ajo nuk do ta kishte përballuar dot burgun tim’,” kujton Meta.

Ai thekson se Alia e përballoi burgun me dinjitet:
“Nuk u ankua kurrë. Fliste pak, por kur fliste, kishte peshë. Ishte korrekt me të gjithë.”

Edhe pas lirimit, raporti mes tyre mbeti njerëzor.
“Në ’97-ën isha gati ta merrja në shtëpi për ta mbrojtur. Ishte një njeri që kishte përfaqësuar shtetin,” shprehet Meta, duke shtuar:
“Mund të gjykohet politikisht, por jo të poshtërohet.”dritare.net