Ballina Ekonomia Kompania që ndau paratë e Benet Becit dhe Berberit merr kontratë 700...

Kompania që ndau paratë e Benet Becit dhe Berberit merr kontratë 700 mijë euro nga Albcontrol

5
0

Consulting & Management Albania, kompania e përfshirë në skandalin e tenderit 850 mijë euro, që çoi në SPAK Benet Becin vazhdon të marrë para publike sikur s’ka ndodhur asgjë. Kompania e zotëruar nga Ervis Myftari është shpallur fituese në tenderin 780 mijë euro për trajnimin e stafit të Albcontrol në rast emergjencash.

Sipas dokumenteve të depozituar në Aggjëncinë e Prokurimeve Publike, tenderi me fond limit 75 milionë lekë ose rreth 780 mijë euro ka patur dy oferta. Consulting & Management Albania ka ofruar kryerjen e shërbimit për 69.5 milionë lekë, ndërsa ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION e Nursen Metulit ka dhënë ofertën 71 milionë lekë.

Albcontrol ka vendosur të shpallë fituese ofertën e Consulting & Management Albania, e cila ka një rekord të madh tenderash të marrë nga Albcontrol.

Kompania që ndau paratë e Benet Becit dhe Berberit merr kontratë

Emri i Consulting & Management Albania u bë i njohur për publikun në skandalin e një tenderi me vlerë 850 mijë euro për zhvillimin e sektorit energjetik. Tenderi i fiksuar çoi në marrjen zyrtarisht të pandehur të ish drejtorit të KESH, i cili tashmë po gjykohet për shkelje të barazisë në tendera.

Sipas komunikimeve të gjetura në telefonin e ish drejtorit të rrugëve, Evis Berberi, dyshohet se tenderi ka qenë i fiksuar kundrejt një rryshfeti prej më shumë se 300 mijë eurosh.Në një nga SMS-të e gjetura nga prokurorët e SPAK, duke ju referuar tenderit për studimin, Evis Berberi i shkruan Benet Becit: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.”

Por SMS-ja kompromentuese e Berberit për Becin nuk është prova e vetme. Më vonë ka rezultuar se prokurimi është kryer pikërisht ashtu.

Zyrtarisht fituese e tenderit në fjalë u shpall pikërisht kompania Consulting & Management Albania, e cila gjithsesi u la jashtë masave nga SPAK, që nuk arriti të provojë rryshfetin por thjesht çoi për gjykim Becin dhe 6 persona të tjerë ish zyrtarë të KESH për shkelje të barazisë në tendera./Kapitali