Bashkia Shijak ka përfunduar procesin e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve në banesat e përmbytura, si pasojë e reshjeve të fundit.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ai thekson se strukturat përkatëse të bashkisë janë angazhuar që në momentet e para, duke iu gjendur pranë banorëve dhe duke shkuar derë më derë për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet.
Sipas të dhënave gjithsej 43 banesa në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Shijak janë konstatuar dhe vlerësuar nga grupet e punës.
Ndërkohë, ditën e nesërme, më datë 15.01.2026, në orën 17:00, mbledhja e Këshillit Bashkiak do të transmetohet live, për t’i hapur rrugë procedurave të dëmshpërblimit për qytetarët e prekur.
Falë mbështetjes së Qeverisë Shqiptare dhe Kryeministrit Edi Rama, të gjithë qytetarët e dëmtuar do të përfitojnë dëmshpërblim sipas vlerësimeve të kryera.
Në përfundim, kryetari i bashkisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të sigurojnë pronat e tyre ndaj çdo fatkeqësie natyrore, si tërmete, përmbytje apo zjarre, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së pasurive të tyre.







