I njohur si një nga tifozët më të mëdhenj të Real Madridit dhe ikonë e artit të luftës, Khabib Nurmagomedov nuk kurseu fjalët kur komentoi largimin e Xabi Alonos nga pankina e “Los blancos”.
Ish-kampion i pakundërshtueshëm i UFC-së sulmoi ashpër skuadrën e Realit, duke e quajtur disa nga lojtarët “fëmijë të shthurur”, të cilët, sipas tij, janë përgjegjës për ikjen e trajnerit spanjoll, i cili mori detyrën vetëm disa muaj më parë.
Përmes rrjeteve sociale, Nurmagomedov shprehu indinjatën e tij për një vendim që e konsideron të padrejtë dhe të nxituar.
“Një vit më parë e lutnin, sot e largojnë për shkak të lojtarëve kapriçozë,” shkroi ai, duke mbrojtur hapur Alonso-n. Sipas Khabib-it, ish-trajneri i Bayer Leverkusenit është “një nga tre trajnerët më të mirë të futbollit modern” dhe nuk mund të konsiderohet problem. “Nëse një skuadër nuk funksionon me të, atëherë duhet të ndryshohen lojtarët, jo trajneri,” theksoi ai.
Legjenda e MMA-së shtoi se Real Madridi është një klub ku egot e disa lojtarëve e bëjnë pothuajse të pamundur punën e çdo trajneri.
“Asnjë trajner nuk mund të menaxhojë vërtet një dhomë zhveshjeje si ajo e Realit pa disiplinë. Duhet të çlirosh vendin nga lojtarët e shthurur,” deklaroi pa doreza.
Nurmagomedov përfundoi duke dhënë një mësim të përgjithshëm për sportet: “Qoftë boksier apo futbollist, kur hyn në palestër ose në fushë komandën e ka trajneri.
Nëse mjedisi nuk të lejon të ndjekësh udhëzimet e tij, atëherë po shkon në drejtimin e gabuar”.







