Ballina Rajoni Mitsotakis ulet me fermerët pas protestave

Mitsotakis ulet me fermerët pas protestave

27
0

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, pati takimin e parë me fermerët në Athinë pas disa javësh protesta në të gjithë vendin.

Qeveria u akuzua nga fermerët për vonesa në ndihmat bujqësore dhe për marrëveshjen tregtare të BE-së me Amerikën Latine.

Pas bisedimeve me një delegacion prej 21 përfaqësuesish, Mitsotakis deklaroi se qeveria ka adresuar një pjesë të kërkesave të tyre, përfshirë ulje të taksës së karburantit, kostove të energjisë elektrike dhe kompensime për blegtorët.

Sipas autoriteteve, masat synojnë rreth 600 mijë fermerë, peshkatarë, blegtorë dhe bletërritës.

“Që nga momenti i parë, qeveria ka treguar shumë tolerancë ndaj protestave të fermerëve, duke njohur problemet e mëdha, dhe për këtë arsye iu përgjigj shumë prej kërkesave të tyre, duke kërkuar në të njëjtën kohë një dialog të sinqertë”, tha ai.

Megjithatë, shumë bujq refuzuan ftesën për dialog, duke e konsideruar takimin të padobishëm dhe jo përfaqësues për të gjithë sektorët.

Ata vijuan bllokadat në akse kryesore rrugore dhe në pikat kufitare, duke shkaktuar vonesa në transport dhe dëme për bizneset.