Ballina Bota Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare Claudette Colvin, pionierja e hershme e luftës...

Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare Claudette Colvin, pionierja e hershme e luftës kundër ndarjes racore në SHBA

31
0

Claudette Colvin, një nga figurat e para që sfidoi në praktikë ndarjen racore në Shtetet e Bashkuara, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur të martën nga fondacioni që mban emrin e saj. Colvin kishte hyrë në histori në vitin 1955, kur refuzoi të ngrihej nga vendi i saj në një autobus në Montgomery të Alabamës. “Për ne, ajo ishte shumë më tepër se një figurë historike. Ishte zemra e familjes sonë, e mençur, e fortë dhe e mbështetur te besimi”, thuhet në nekrologjinë e Fondacionit Claudette Colvin.

Claudette Colvin ishte vetëm 15 vjeçe kur u arrestua, pasi refuzoi t’ia lironte vendin një pasagjereje të bardhë në një autobus në Alabama, në një periudhë kur ndarja racor ishte ende e sanksionuar me ligj. Ngjarja ndodhi në mars të vitit 1955, nëntë muaj përpara aktit të ngjashëm dhe më të njohur historikisht të aktivistes amerikane Rosa Parks.

Më 1 dhjetor 1955, në Montgomery të Alabamës, Rosa Parks refuzoi t’ia jepte vendin një burri të bardhë, duke sfiduar politikën e atëhershme të ndarjes racore në SHBA, e cila kërkonte që qytetarët afroamerikanë të uleshin në pjesën e pasme të autobusit dhe t’u lironin vendin pasagjerëve të bardhë.

Edhe pse Colvin ishte e para që u arrestua për shkeljen e rregullave të ndarjes racore në autobusët e Montgomery-t, historia e saj mbeti për dekada në hije. Kjo ndodhi sepse rasti i Rosa Parks çoi në bojkot masiv të autobusëve dhe e solli lëvizjen për të drejtat civile në qendër të vëmendjes kombëtare.

Një vit pas arrestimit të saj, Gjykata e Lartë e SHBA-ve vendosi se ndarja racore në autobusë ishte antikushtetuese. Vendimi u mbështet në dëshmitë e katër paditësve, mes të cilëve edhe Claudette Colvin, duke e bërë kontributin e saj vendimtar për rrjedhën e çështjes.

Në një intervistë për BBC-në në vitin 2018, Colvin kishte deklaruar se në momentin e arrestimit “nuk u frikësova, por ndihesha e zhgënjyer dhe e zemëruar”, sepse e dinte se “isha ulur në vendin e duhur”.

Ajo kishte treguar gjithashtu se frymëzohej nga figura emblematike të luftës kundër skllavërisë, si Harriet Tubman dhe Sojourner Truth, duke thënë: “Ndihesha sikur duart e Harriet Tubman më mbanin nga njëra shpatull dhe ato të Sojourner Truth nga tjetra”.

Në vitet e mëvonshme të jetës së saj, Claudette Colvin punoi si infermiere në Nju Jork. Sipas fondacionit të saj, ajo u nda nga jeta në Teksas, duke lënë pas një trashëgimi historike, vlera e së cilës u njoh plotësisht vetëm në dekadat e fundit.