Ballina Opinion Për politikanët tanë hipokritë që mbështesin agresorët

Për politikanët tanë hipokritë që mbështesin agresorët

12
0

Nga Shpendi Topollaj 

Ka shumë thënie të mprehta nga moderatori i famshëm amerikan David Letterman (lindur në12 prill 1947), në ato gjashtëmijë programet e tij televizive gjatë tridhjetë viteve, por mua sepse m`u kujtua njëra prej tyre: “Alcaimeri është sëmundja që të bën të harrosh se dikur ka ekzistuar nazizmi”. Dhe të harrosh se çfarë tragjedishë i solli ky nazizëm botës dhe qytetërimit, është krimi më i madh. Ca më shumë, sot kur kësaj bote po i troket në derë Lufta e Tretë, jo me grushta, por me raketa e drone, dhe të bësh sikur nuk sheh e nuk dëgjon apo të solidarizohesh me nxitësit e saj, qoftë edhe për taktika diplomatike, pra për hipokrizi, është e pafalshme. Lëmsh është bërë kohët e fundit politika ndërkombëtare. Ajo është kokolepsur aq keq, sa as shpata e Lekës së Madh nuk e zgjidh Nyjen e saj Gordiane. Nga të katër anët dëgjohen kërcënime e vrigëllijnë armët e sofistikuara, në shumë pika të globit, gjaku po derdhet lumë. Jeta e njeriut duket se nuk vlen fare. Lajmet televizive për masakra të përbindëshme, nuk shkaktojnë ndonjë efekt, më shumë se një sfilatë mode apo një koncert rroku. Njerëzit duket se janë mpirë dhe janë zhveshur nga ndjenjat. Shpirti i tyre duket se është tharë. Organizmat që ata dikur ndërtuan për të mbajtur qetësinë e paqen, thuajse nuk ekzistojnë më. Ato janë atrofizuar dhe janë stepur deri atje sa jo vetëm që nuk luajnë ndonjë rol në uljen e tensioneve, por lënë të kuptosh se janë krejt të tepërta dhe si duhen as dreqit. Edhe pse ca parazitë që nuk ua dimë as emrat, vazhdojnë të kapardisen, fjala vjen në OKB, autoriteti i tyre ka rënë në nivele qesharake. Ata nuk marrin as inisiativën më të vogël që t`i mbledhin udhëheqësit e çmendur të Fuqive të Mëdha dhe t`i shtrojnë në bisedime për të vendosur paqen mes popujve. Kjo është fatkeqësi historike që aktualisht po e vuajnë Ukraina dhe Gaza, por nesër rrezikon të përfshihet në këtë fatkeqësi i gjithë rruzulli. Dhe me keqardhje duhet pranuar se pas ardhjes së zotit Tramp në krye të Shtëpisë së Bardhë, aleati ynë strategjik, SHBA në orkestrën e atyre që luajnë marrshin e luftës, kanë borijen më të zhurmshme. Fillimisht, deklaratat e Presidentit amerikan për Panamanë, Kanadanë, Groenlandën, Iranin, Venezuelën e më tej, Meksikën, Kolumbinë…u morën si gjysmë shakaje; ca, madje thanë se kështu e ka natyrën ai, është i paparashikueshëm, biznesmen hesapi, që sheh të tjera interesa, dhe fundja kërkon të krijojë rend të ri botëror, atë tripolarin. Ky rendi i ri botëror po çonte edhe te konflikti me vetë vendet e Evropës, gjë e paimagjinueshme dikur, dhe duke i bërë lëshime në kurriz të interesave të popujve të tjerë, KGB – istit Valdimir Vladimiroviç, carit të ri të Rusisë. Dashje pa dashje me këto lëvizje në skakierë të  politikës, po krijohen preçedentë të rrezikshëm për vendet e vogla, qoftë edhe për vetë ne shqiptarët, po të kemi parasysh oreksin e dhelprës Aleksandar Vuçiç që fshihet pas ferrës me sytë dinakë nga Kosova jonë. Dhe në të gjitha këto zhvillime, darkave vijojnë analizat e gazetarucëve, opinionistëve dhe politologëve tanë tutsa, që duan të na mbushin mendjen se gjithçka është normale, pasi duhet ta dini se bota ka ndryshuar dhe nuk është ajo që ju përfytyroni. Flasin kështu, sikur bëhet fjalë për modën e veshjeve apo rrobave të banjës. Pastaj, nuk ka sesi të mos indinjohesh dhe të pyesësh, a janë në vete këta, apo kanë lajthitur, kur duke marrë pozat e kompetentit, kritikojnë edhe kryeministrin Kurti, pse nuk lëshonka pe ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve për t`i plotësuar tekat Serbisë. Sikur puna të mbetej deri këtu, do të ishte gjysma e së keqes. Por akoma më revoltuese është kur edhe politikanët tanë, flasin si e ëma e Zeqos në majë të thanës dhe bëjnë deklarata që jo vetëm nuk i nderojnë ata, por turpërojnë gjithë vendin tonë. Pa qënë fare nevoja dhe pa ua kërkuar askush, opozita shqiptare shprehet se ne jemi për krah Izraelit, kur ky vend mbyti me gjak një popull të tërë e në një nga gjenocidet më të papara në histori. Dhe kulmi arrin kur qeveria jonë, me gojën e Ministres së Jashtme, në vend që të heshtë, thotë pa pikën e gajles, se ne jemi me SHBA, kur ajo ndërhyn brutalisht në punët e brendshme të një vendi sovran, rrëmben Presidentin, edhe pse ai ka kusuret e veta dhe shpall se atë vend dhe rezervat e saj të naftës, do t`i administrojnë ata. As vetë Evropa, ku ne po aspirojmë të shkojmë, nuk solidarizohet kaq paturpësisht, për të mos thënë se ata kanë mospajtimet e tyre me hapat e rrëmujshëm që presidenti Tramp po ndërmerr. Po sikur, larg qoftë, nesër, SHBA me potencialin e saj të frikshëm ushtarak, të ngrihen dhe t`a pushojnë Groenlandën dhe automatikisht të futen në luftë me Danimarkën, gjë që nuk do ta miratonte kurrë Evropa, çfarë i mbetej për të thënë qeverisë tonë servile, nëpërmjet Ministres së Jashtme? Me këta politikanë karagjozë e të papërgjegjshëm, ku shkon dinjiteti i Shqipërisë, dhe a mendoni ç`trajta merr pozicioni i saj në politikën ndërkombëtare? Vallë nuk ka mjaftuar deri tani paaftësia, frika e nënshtrimi për t`u thënë të huajve: “Mos ndërhyni në punët tona të brendshme. Nuk keni asnjë të drejtë të na trajtoni si koloninë tuaj. Na ndihmuat për reformën në drejtësi (që më shumë e shpartalloj atë), duke dashur të jetë e pavarur, por kjo nuk do të thotë që përfaqësuesit tuaj të shkojnë si në shtëpinë e tyre dhe t`u fryjnë gjyqtarëve tanë në vesh. Të vjetrit kishin një thënie interesante; “Timeo Danaos et dona ferentes”. Mos e harroni këtë!” Ne si askush tjetër i jemi mirënjohës SHBA dhe shpresojmë shumë te përkrahja e sinqertë e saj. Por mikut, nuk duhet të druhemi për t`ia thënë hapur kur e ka gabim; Nazizmi ka ekzistuar vërtetë! Si qytetar i një vendi që i do me të vërtetë SHBA e uroj modestisht presidentin Tramp që me fjalët dhe veprimet e tij të matura, të meritojë në fund të mandatit të tij të dytë, fjalët që Xhejms Buhanani i tha Abraham Linkolnit: “Nëse ju, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”.