SPAK është treguar hermetik për fatin e këtij hetimi, por emisioni Plug ka avancuar edhe më tej. Në vijim do tju tregojmë me detaje, se si është kryer e gjithë procedura për hidrovorin 19 milionë euro. Duket se qëllimi nuk ka qenë zgjidhja e situatës, por abuzimi me këto fonde, me një projekt të pastudiuar në terren, me një tender të paracaktuar, dhe me para të përfunduara në xhepat e drejtorëvë të Belinda Ballukut dhe njerëzve të lidhur me të.
Ndër vite, qyteti i Durrësit ka kaluar disa përmbytje, e për këtë logjika e kërkon që zgjidhja të vijë nëpërmjet investimeve. Në vitet e fundit janë shpenzuar plot 32 milionë euro, për të shmangur përmbytjet. Por duket se këto para veçse kanë avulluar dhe situata e përmbytjeve është rënduar. Vepra më e rëndësishme për këtë situatë është Hidrovori i ndërtuar në Porto Romano, tek i cili do të ndalemi gjerësisht në vijim, nga ku të do të kuptoni që në çdo hap të hedhur për projektimin, ndërtimin dhe lëvrimin e fondeve, rezultojnë prova konkrete për një vepër ku veç është abuzuar.
Në 31 mars të vitit 2021 Këshilli i Ministrave miraton fondin 82.000.000 lekë nga fondet e rindertimit për “Për financimin e hartimit të projekt preventivit dhe riforcimin e hidrovorit Durrës ”
Me Urdhërin nr.253 datë 19.04.2021, datë 19.04.2021 Emiriana Sako vendos “Për ngritjen e grupit të punës për hartimin e specifikimeve teknike (termat e referencës) si dhe për llogaritjen e fondit limit për procedurën e prokurimit me objekt: “Studim projektimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kulimit në zonën e Porto Romanos – Kënetë dhe sistemimi i rrjetit të ujrave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit”. Në datën 10.05.2021, Bashkia Durrës shpall edhe tenderin.
TENDERI
Hartimi i studim-projektimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto – Romanos – Kënetë dhe sistemimi i rrjetit të ujrave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit. Fondi limit do të jetë shuma 87.000.000 lekë.
Sipas dokumentacionit ky tender është shpallur për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të shpëtuar Durrësi njëherë e mirë nga përmbytjet. Në garë marrin shtatë kompani me ofertat përkatëse:
1.A & E ENGINEERING sh.p.k, Vlera 65’000’000 lekë pa TVSH
2. GJEOKONSULT & CO, Vlera: 49’000’000 lekë pa TVSH
3. GR ALBANIA , Vlera: 68’000’000 lekë pa TVSH
4. BOE HE & SK 11 & MCE, Vlera: 65’000’000 lekë pa TVSH
5. INSTITUTI DEKLIADA – ALB, Vlera: 77’432’100 leke pa TVSH
6. ILLYRIAN CONSULTING ENGINEERS, Vlera: 57’025’000
7. BOE INVICTUS & ANGERBA & TOËER, Vlera: 82’145’534
Nga shtatë kompanitë garuese, fitues shpallet bashkimi i kompanive INVICTUS+ANGERBA & TOUER. Ajo që bie në sy në këtë procedurë është fakti se të gjitha kompanitë e tjera kanë patur oferta më të ulta se vlera minimale teknike e përcaktuar, çka ngre dyshime se që në këtë fazë, kostoja e studimit dhe projektimit është fryrë, aq sa kompanitë marrin përsipër ta bëjnë këtë punë gati me gjysmën e vlerës tenderuese. Por në procedurat verifikuese të ofertave, 5 nga 7 kompanitë skualifuikohen pasi sipas arsyetimit të autoritetit kontraktues kanë paraqitur ofertë ekonomike më të ulët se vlera minimale e dokumentacionit teknik për fazat 2-5 e përllogaritur nga grupi i punës, që është përcaktuar në dyshemenë 74’577’207.
Pra 5 nga 7 kompanitë që marrin pjesë në garë kanë paraqitur ofertë më të vogël se kufiri minimal. Ne tashmë jemi mësuar me fryrjen e kostove të tenderave kur mbi 70% e kompanive që marrin pjesë në tendera për hartimin e studimeve në Shqipëri, paraqesin oferët afër fondit limit. Dhe për 5 kompanitë që u ofruan të kryejn këtë studim shumë herë më lirë, kjo cilësohet herëzi, ndaj dhe duken skualifikuar në vend të ngritjes së pikpyetjeve për fryrjen e kostove. Për kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako, ky fakt nuk bën përshtypje, ndaj dhe vendos të shpall fituese në këtë procedurë bashkimin e operatorëve INVICTUS+ANGERBA & TOËER edhe pse kishte ofertë financiare më të lartë se operatori tjetër i mbetur në garë Instituti Dekliada.
Kontrata me fituesin u lidh në datën 22.06.2021 dhe ky Bashkim do të kishte 12 muaj kohë për të dorëzuar studimin, projektin si dhe preventivin e për këtë do të paguhej 820.000 euro pa TVSH. Por ky bashkim operatorësh është treguar ose shumë efficient ose kjo procedurë e shpallur paska qënë totalisht fictive pasi në tetor të vitit 2021 Bashkia Durrës shpall procedurën tenderuese për ndërtimin e Hidrocentralit.
TENDERI I NDËRTIMIT TË HIDROVORIT
REHABILITIMI I INFRASTRUKTURES SE RRJETIT NE ZONEN E PORTO ROMANOS-KËNETË DHE SISTEMIMIN E RRJETIT TË UJRAVE TË SHIUT NË ZONËN URBANE TË QYTETIT TË DURRËSIT FAZA I- Fondi limit 1 972 599 359 ose 19.7 milion euro pa TVSH.
Periudhën 3 mujore në të cilën është kryer tenderi i studimit, realizimi i studimit, projekti, realizimi në terren si dhe konkludimi me tenerin për ndërtim, për ekspertët më të mirë të fushës, është një periudhë e pamjaftueshme edhe për hedhjen e të dhënave në letër. E jo më për zbritjen e inxhinierve në terren, matjet topografike, analiza e tokës e më pas projektimi dhe preventivi.
Nga kqyerja e mëtjeshme e dokumentacionit, sigurojmë të tjera të dhëna për dyshimin se tenderi ka qenë i paracaktuar, e nuk është kryer asnjë studim sipas procedurës tenderuese.
Sipas dokumenacionit teknik të depozituar nga Bashkia Durrës në APP, rezulton se bashkimi i operatorëve INVICTUS+ANGERBA & TOËER kanë përfunduar dhe dorëzuar të gjithë punën për të cilën u nënkontraktuan që në gusht të vitit 2021 pra vetëm një muaj e gjysëm pasi firmosën kontratën.
PLUG sot po publikon dokumenta ekskluzive që tregojnë se tenderi për hartimin e studimit ishte fiktiv, kompania ishte e paracaktuar dhe se projekti ka qënë i gatshëm për interesa të tjetër, kujt apo cilit, këtë duhet ta zbardh SPAK.
Vetëm 20 ditë pas lidhjes së kontratës me INVIKTUS, në datën 12.07.2021 Emiriana Sako i propozon Këshillit Bashkiak Durrës miratimin e një projekt vendimi i cili sigurisht kalon pa asnjë problem pasi Këshilli ishtë i gjithi Rilindas. Me vendimin Nr.87 Këshilli Bashkiak Durrës vendosi:
PËR MIRATIMIN E ZGJIDHJES SË DETYRËS SË PROJEKTIMIT TË PROJEKTIT ME ОВЈЕКТ “STUDIM E PROJEKTIM TË REHABILITIMIT TË INFRASTRUKTURËS SË RRJETIT TË KULLIMIT NË ZONËN PORTO ROMANO – KËNETË DHE SISTEMIMII RRJETIT TË UJËRAVE TË SHIUT NË ZONËN URBANE TË QYTETIT DURRËS””
Sipas relacionit të këtij vendimi grupi i punës për hartimin e termave të referencave të tenderit për Hartimin e Studimit na paska gjetur vetë zgjidhjen optimale dhe paska hartuar dhe prevntivin sesa do të kushtonte ndërtimi i hidrovorit të ri dhe infastruktura mbështetëse edhe pse për këtë do të paguhej 820.000 euro pa tvsh bashkimi i operatorëve INVICTUS+ANGERBA & TOËER.
Po sipas relacionit rezulton se Këshilli Bashkiak paska miratuar pjesë të të studimit të dorëzuar nga INVICTUS e cila kuptohet fare qartë nga fotot e përdorura në relacionin bashkëlidhur vendimit.
Pra sipas këtij dokumentacioni faktohet se INVICTUS ka firmosur kontratën në 22.06.2021 dhe ka paraqitur të gjithë projektin dhe studimin ne rastin më të keq, maksimalisht në datën 11 korrik ose 24 orë para së të miratohej në Këshillin Bashkiak.
Pra me një llogari të thjeshtë bashkimit të operatorëve INVICTUS+ANGERBA & TOËER I janë dashur vetëm 19 ditë për të dorëzuar një punë për të cilën vetë Bashkia Durrës kishte përllogaritur një kohë prej 12 muajsh.
19 ditë për të përfituar 820.000 euro. Pra dy janë mundësite, ose tenderi për realizimin e projektit ka qenë i paracaktuar ose kompania fituese e tenderit nuk ka kryer fare studim, për investimin 19 milionë euro. Në të dyja rastet, jemi përballë një abuzimi financiar, e me pasoja të rënda, për të cilat SPAK do të duhet të vendos përgjegjësit para drejtësisë.
Tenderi 820 mijë euro për studimin dhe projektin është vetëm maja e ajzbergut, pasi edhe në tenderin kryesor dyshimet për abuzim e korrupsion janë të forta. Këto shkelje konfirmojnë që përfituesit real kanë patur kontroll thuajse në të gjithë aparatin shtetëror, për të çuar deri në fund përfitimin e 19 milionë eurove që duhet të kishin zgjidhur situatën me përmbytjet.
Në tetor të vitit 2021 u hap prcedura tenderuese për ndërtimin e Hidrocentralit me fond limit 1 972 599 359 19 lekë pa TVSH. Në këtë procedurë morën pjesë 2 grupe operatorësh:
1. “2T SHPK & VELLEZERIT HYSA SHPK & ADRIATIK SHPK me ofertën Vlera: 1.970.730.718 lekë pa TVSH- DHE-
2. GJOKA KONSTRUKSION SHPK me ofertën Vlera: 1.972.087.306 lekë pa TVSH
Ofertat e kompanisë Gjoka është vetëm 5000 euro më e ulët se fondi limit kurse oferta e bashkimt të operatorëve Adriatik & 2T është 20.000 euro më e ulët se fondi limit duke fituar me 99% të velerës së tenderit.
Pikërisht këtu dalin në skenë edhe personazhet e para se kush mund të fshihet pas abuzimit me 19 milionë eurot e Hidrovorit. Nga tre kompanitë fituese të tenderit, 2 rezultojnë në emër të familjarëve të bashkpunëtorëve më të afërt të Belinda Ballukut, ndërsa e treta rezulton një prej klientëve të preferuar të Ballukut, edhe pse me llogari të hapura me drejtësinë.
Po le ti marrim me radhë. Adriatik SHPK, rezulton në pronësi të Adriatik Kovaçit, babai i Spartak Kovaçit, njëri prej drejtorëve më të besuar të Belinda Ballukut, që ka qenë Drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, ndërmarrja përgjegjëse për këtë infrastrukturë kritike. Pra e thënë më thjeshtë, Kompania e babait të drejtorit të Drejtorisë së Infrastrukturës kulluese dhe Hidrovorit, është fitues i tenderit për ndërtimin e Hidrovorit. Por jo vetëm kaq, duket se lidhjet me Belinda Ballukun por edhe lidhja familjare e finsore me Ceno Klosin, ka bërë që kompania e familjes Kovaçi të përfitojë plot 32 milionë euro tendera, kryesisht nga Ministria e Ballukut. Madje edhe kryeministri Edi Rama është kujdesur që ndërtuesit të Hidrovorit që përmbyti Durrësin, ti jap edhe një leje ndërtimi në bregdet.
Kompania e dytë “2T”, është e regjistruar në emër të Artan Sakos, vëllai i ish-drejtuesit të Gardës, Gramoz Sako, që tashmë është kryetar i Bashkisë Tepelenë.
Artan Sako dhe familjarët e tij zotërojnë disa kompani, por më kryesorja është kompania 2T. Vetëm kjo kompani për periudhën 2015–2018 ka përfituar rreth 4.5 milion euro nga buxheti i shtetit. Bumi i saj ekonomik ka ndodhur në periudhën 2019–2025 duke përfituar 9.9 miliardë lekë ose 99 milion euro pagesa nga thesari. Shihet qartë se biznesi i Artan dhe Gramoz Sakos ka lulëzuar me ardhjen e Belinda Ballukut në qeveri. Dhe në të shumtën e projekteve infrastrukturore ku janë konstatuar abuzime, çuditërisht shfaqet edhe 2T.
Kompania e tretë, “Vëllezërit Hysa”. Kjo kompani është një nga të preferuarat e Belinda Ballukut, e jo vetëm. Por për një pjesë të madhe të tenderave të përfituar, pas marrjes së parave kompania “Vëllezërit Hysa” duhet të jepte llogari në Prokurori.
Pasi fituan tenderin e majmë nga Emiriana Sako këto kompani deri në vitin 2025 kanë vijuar të marrin pagesa nga Bashkia Durrës për ndërtimin e hidrovorit të ri, që do të shpëtonte Durrësin nga përmbytjet.
Një tjetër fakt i rëndësishëm që flet për zgjerimin e skemës së korrupsionit në këtë aferë është edhe miratimi i marrë nga Ministria e Bujqësisë për spostimin e hidrovorit dhe miratimin e projektit të ri. Do të ishte Bledi Çuçi, ministri i kohës që do ti jepte dritën jeshile Emiriana Sakos për këtë ndërtim.
Por afera vazhdon. Në 13 dhjetor të vitit 2021 Bashkia Durrës do të shpallte tenderin, për: Mbikqyrje, Rehabilitimi i infrastrukturës së rrjetit në zonen e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujrave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit Faza I. Sipas përcaktimeve ligjore do të duhet që punimet të mbikqyreshin dhe të certifikoheshin nëse po kryheshin jo vetëm në përputhje të projektit por dhe sipas standarteve të përcaktuara e mbi të gjitha të certifikohej që ky do të ishte një hodrovor funksional.
Në këtë garë morën pjesë:
1. “HYDRO-ENG CONSULTING” sh.p.k & “ANGERBA” sh.p.k & “INVISTUS” sh.p.k
2. “NET-GROUP” sh.p.k
Pra në garë paska qënë Evis Berberi i ARRSH dhe bashkimi i 3 operatorëve të tjerë ku bie në sy sërisht INVICTUS. Fitues shpallet bashkimi I operatorëve HYDRO-ENG CONSULTING” sh.p.k & “ANGERBA” sh.p.k & “INVISTUS” sh.p.k
Kjo në shkelje flagrante të ligjit pasi nuk lejohet që e njëjta kompani që ka bërë projektin të bëjë edhe mbikqyrjen e punimeve ndëertimore. Emisioni PLUG analizoi edhe dy kompanitë e tjera nga të cilat rezultoi se: Kompania Hydro-ENG Consulting,s ipas te dhenave te QKB, është themeluar në 12.02.2021 nga Evis Qyrku. Ky shtetas gjithashtu është i dy-punesuar si inxhinier hidrolog pranë kompanisë Gener 2 dhe KUPA shpk. Sipas të dhënave të Open Procurement, kompania Hydro-Eng Consulting sh.p.k. rezulton fituese e të paktën 40 kontratave publike, me një vlerë 1. 2 milionë euro, kryesisht në fushën e studim–projektimit, supervizionit dhe kolaudimit të punimeve, të financuara nga qeverisja vendore, shoqëritë ujësjellës-kanalizime dhe institucionet qendrore. Kontratat janë përqendruar kryesisht në bashkitë Durrës, Tiranë, Kamëz, Dibër, Shijak dhe Kurbin, si dhe në projekte të Programit të Rindërtimit, me vlera që variojnë nga dhjetëra mijëra lekë deri në dhjetëra milionë lekë për kontratë. Një pjesë e konsiderueshme e tenderave janë fituar në bashkim operatorësh, ku Hydro-Eng Consulting shfaqet në mënyrë të përsëritur në partneritet me kompani të caktuara, si INVICTUS sh.p.k., P.C.S. Company sh.p.k., BN Project sh.p.k. dhe Ideal Construction and Projection sh.p.k. Veçanërisht bie në sy bashkëpunimi i Hydro-Eng Consulting me Ideal Construction and Projection sh.p.k., kompani në pronësi të Alban Dautaj. Dokumentet zyrtare tregojnë se këto kompani janë shfaqur së bashku në më shumë se një tender, duke krijuar një model që kërkon verifikim të mëtejshëm mbi transparencën dhe garën në tenderat ku ata kanë marrë pjesë. Siç edhe Evis Qyrku, ashtu edhe Alban Dautaj rezutojnë njëkohësisht të punësuar pranë kompanisë Kupa. Veç lidhjeve të dyshimta korruptive, shqetësues është fakti se Evis Qyrku dhe Alban Dautaj, marrin paratë e taksapaguesve shqiptarë që të kontrollojnë dhe çertifikojnë punimet që kryejn punëdhënësit e tyre, siç në rastin e Kompanisë Kupa. Për ekspertët apo edhe për SPAK, kjo mënyrë është mbyllja e qarkut të abuzimit, ku shkelja e kontratave dhe cilësia e punimeve inspektohen nga persona të kapur dhe punësuar pranë kompanive që kanë kryer punimet. Këto proceduara janë në kundërshtim me ligjin 8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” I ndryshuar neni 7 ku citohet:
Mbikëqyrësi i punimeve, i emëruar nga zhvilluesi, duhet të jetë person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, i pajisur me licencë përkatëse dhe që nuk është i lidhur në asnjë mënyrë me zbatuesin e objektit që do të drejtojë.
Siç shihet qartë mbi 70% te tenderave kjo kompani i fiton në Bashkisnë Durrës dhe Ujësjellës Kanalizime Durrës gjatë periudhë që ky i fundit drejtohej nga Spartak Kovaçi, babai i të cilit fitoi tenderin e ndërtimit të hidrovorit. Lidhja është pikërisht shtetasi Alban Dautaj. Ideal Constuction and Projection sipas të dhënave të QKB është themeluar në datën 04.01.2019 në pronësi të shtetasit Alban Dautaj. Ky shtetas është vëllai i Gerald Dautaj i cili prej marsit të viit 2024 mban detyrën e drejtorit të Ujësijellës Kanalizime Durrës. Më parë ky shtetas ka mbajtur detyrën e Drejtori Teknik në UKD. Sipas te dhenave Alban Dautaj rezulton i tre-punesuar në ICP shpk, si Person Fizik dhe inxhinier prane KUPA shpk. Pra Alban Dautaj dhe Evis Qyrky janë koleg pranë kompanisë KUPA e më pas hapin të dy kompani dhe fitojnë tendera edhe në bashkëpunim me njëri tjetrin në Bashkinë Durrës, Ujësjellës Kanalizime Durrës etj.
Pra doli qartë që projektimi i ndërtimit të Hidrovorit, ose nuk është kryer fare, ose është bërë nga persona e kompani që e kanë hartuar vetëm sa për të justifikuar tenderin e paracaktuar. Ndërtimi i Hidrovorit u krye nga kompani në emër të babait të drejtorit kryesor të Autoritet Kontraktues, dhe më pas kontrolli nëse janë kryer siç duhet punimet u kontraktua kompania në emër të vëllait të Drejtorit Teknik të Ujësjellësit dhe kompania që u përdor për realizimin e studimit dhe projektimit fake.
Le ta marrim të mirqenë se Hidrovori nuk ishte shkak për përmbytjen në Durrës dhe të pranojmë atë që thotë kryeministri Edi Rama, se përmbytjen e shkaktuan vetë qytetarët. A duhet të shqetësohen institucionet e drejtësisë e SPAK, që duket se po fle mbi këtë dosje, për faktin se ai Hidrovori është projektuar dhe ndërtuar nga zyrtarët e fshehur pas kompanive të familjarëve? A mund të besohet se këta drejtorë e bashkëpunëtorë të Belinda Ballukut, i morën ato para vetë, që tu shërbenin sa më mirë qytetarëve?
Nëse 32 milionë euro i vodhët, nëse drejtësinë e vutë në gjumë, të paktën kursejani qytetarëve durrësakë talljen se për humbjen e pasyruisë së tyre në 5700 banesa e biznese, e kishin vetë fajin!/Plug







