Në 27 vjetorin e vdekjes së një prej figurave më të rëndësishme të teatrit dhe filmit shqiptar, Shani Pallaskës u promovua monografia me titull “Shani Pallaska- Emblemë e një epoke”, me autor Visar Krushën.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, këtë libër e quajti testament me vlerë dhe një udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
“Monografia e titulluar “Shani Pallaska- Emblemë e një epoke” me autor Visar Krushën e stampon rolin dhe portretin e pazëvendësueshëm të Pallaskës në historinë e artit dhe sidomos atë të teatrit dhe filmit në vendin tonë. Monografia është dokument i rëndësishëm kulturor, studim dhe hulumtim serioz me dëshmi të vlefshme arkivore që i shtohet me dinjitet kujtesës sonë kulturore, gjithmonë e përcjellë edhe me rrethanat e kontekstin e kohës, atë historik, shoqëror e artistik. Ky libër përveçse është testament me vlerë, është edhe udhërrëfyes për gjeneratat e reja”, tha Çeku.
Ministri në detyrë tha se, institucionet e kulturës janë përherë mirënjohës ndaj atyre që kanë trasuar rrugën e vështirë. “Teatri Kombëtar e njeh Shani Pallaskën si të tillë. 50 vite karrierë me mbi 130 role teatrore i japin Shaniut epitetin emblemë e epokës së artit”, tha tutje Çeku.
Fadil Hysaj profesor, në këtë promovim të monografisë tha se Shani Pallaska kishte shpirt i madh artisti që ka qenë i gatshëm në secilën pjesë të moshës së tij të bëjë të pamundshmen e të mbështesë inovacionin.
Ai tha se Pallaska ka qenë talent i rrallë derisa kujtoi se në vend se ai t’i ndiqte regjisorët, ndodhte e kundërta, regjisorët e ndiqnin atë.
“Shani Pallaska përveç talentit të rrallë që dispononte kishte fat të mirë që në kohën e duhur të aktronte rolet e duhura. Përveç shumë roleve që luante që lanë gjurmë në aktrimin shqiptar mund të veçohet roli i Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur të Kadaresë”, tha Hysaj derisa përmendi edhe shumë role të tjera të Pallaskës.







