Nga Sidi Hasanaj
“Papritur”, Sali Berisha, iu rikthye sulmeve me gjuhë sa urrejtjeje, aq edhe të hidhur ndaj Lulzim Bashës, në Foltoren e fundit në Lezhë.
Rikthimi i Sali Berishës te gjuha e mbushur me urrejtje, banalitet dhe shpifje ndaj Lulzim Bashës nuk është një shpërthim emocional i rastësishëm, as një konflikt personal i vonuar. Është një reagim instinktiv politik, i diktuar nga frika, dhe frika është ndoshta ndjesia që Sali Berisha e njeh më mirë se kushdo tjetër në karrierën e tij.
Berisha është një politikan me instinkt të mprehtë mbijetese. Modus operandi i tij historik ka qenë gjithmonë i njëjtë: t’i paraprijë rrezikut që i vjen dhe të godasë i pari, me gjuhë linçuese dhe kërcënuese, këdo që percepton si kërcënim potencial për pushtetin e tij real, jo domosdoshmërisht vetëm elektoral. Prandaj, kur verbi i tij bëhet shpifës, agresiv dhe obsesiv, kjo nuk është shenjë force, por reagimi instinktiv i frikës së një “kafshe politike” që ndjen se territori i saj po tkurret.
Në optikën time, frika e sotme nuk quhet Lulzim Basha… si individ, të paktën, por ajo që Basha përfaqëson në një kontekst shumë më të gjerë historik dhe institucional. Pikërisht këtu qëndron arsyeja pse Berisha e sulmon sot me kaq egërsi, përpara se një pjesë më e madhe e publikut ta kuptojë vetë këtë rrezik.
Sali Berisha po përballet çdo ditë e më shumë me një problem ekzistencial të tijin në politikë. Ai po sheh një paradoks shkatërrues të marrë formë: ndërsa Edi Rama po dërmohet publikisht nga skandale korrupsioni dhe hajdutërie të përmasave të paprecedenta në historinë e Shqipërisë, opozita që Berisha drejton nuk përfiton asnjë kredit moral apo elektoral. Përkundrazi, ajo po ecën e sinkronizuar me Edi Ramën drejt një abisi, një humnerë morale, që manifestohet në braktisjen dhe refuzimin më përbuzës që shoqëria shqiptare i ka bërë ndonjëherë një klase politike në 35 vite.
Ky është problemi ekzistencial i Berishës. Një politikan me instinkt mbijetese e kupton shumë qartë kur ka hyrë në metrat e fundit të garës së tij historike. Padyshim që ai udhëheq një makineri të madhe mediatike që përpiqet ta fshehë këtë krizë ekzistenciale. Përmes analistëve dhe mercenarëve politikë, opinioni publik është bombarduar me narrativën e “popullit fajtor”: popull që nuk reagon, popull “dele”, popull i trembur, i blerë, i trullosur nga narkodiktatura e Ramës. Një spin jo vetëm i dëshpëruar, por edhe qesharak, sepse qytetarët refuzojnë Ramën, por edhe Berishën, dhe ky problem ekzistencial vazhdon të qëndrojë si shpata e Demokleut mbi kokën e Berishës.
Në këtë sfond, sulmi ndaj Lulzim Bashës merr kuptim të plotë. Prej muajsh, Berisha po përpiqet me çdo mjet të ringrejë figurën e tij dhe të PD-së në valencën e dikurshme elektorale. Ai është i gatshëm të bashkëpunojë me këdo, të negociojë nën tavolinë me këdo, të tolerojë çdo profil politik, për sa kohë që nuk sfidohet thelbi i sistemit që ai përfaqëson. Është bashkuar me Agron Shehajn dhe Adriatik Lapajn, madje edhe në zgjedhje të pjesshme lokale që prodhuan një disfatë historike. Ka organizuar tryeza me të ashtuquajtur “intelektualë”. Por rezultati është gjithmonë i njëjtë: si Berisha, ashtu edhe kushdo që i afrohet atij, shkon i sigurt drejt humnerës politike, i refuzuar me përbuzje nga qytetarët.
Ky refuzim shfaqet sot edhe në formën e talljes publike ndaj protestave të thirrura nga Adriatik Lapaj dhe, edhe më turpëruese, nga Agron Shehaj. Është një ortek në opozitë dhe një ortek në qeverisje që po rrokulliset me një forcë shkatërruese të pandalshme. Ashtu si Berisha po tërheq drejt shkatërrimit politik këdo që i bashkohet, Edi Rama po e çon gjithë Partinë Socialiste drejt burgut dhe tragjedisë personale-politike.
Në këtë panoramë, hija e Lulzim Bashës shfaqet si kontrast i madh me gjithë klasën politike. Jo si figurë heroike, as si shpëtimtar, jo si lider perëndimor… këto janë patetizma dhe ushqim për mendjet e hipnotizuara të militantëve.
Lulzim Basha përfaqëson diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më të rrezikshme për sistemin: refuzimin e logjikës së vjetër të pushtetit. Ai ishte i vetmi politikan nga kupola drejtuese e Partisë Demokratike (duhet thënë edhe E. Alibeaj) që, pas shpalljes non grata të Berishës në vitin 2021, zgjodhi të investojë besimin te SPAK dhe te Shtetet e Bashkuara, jo te militantët, pazaret e errëta dhe pushteti okult familjar i Berishajve.
Ai përfaqëson ata demokratë që mishërojnë refuzimin ndaj Sali Berishës si model politik shumë i ngjashëm me Edi Ramën. Pra, Lulzim Basha si një pikë reference morale që me kalimin e kohës po konfirmohet në të drejtën e zgjedhjes së tij.
Sot, kjo zgjedhje po merr peshë historike. Problemi i madh i Berishës është se ai nuk shihet më as si opozita e Ramës. SHBA dhe SPAK janë sot armiku më i ashpër i Edi Ramës, por po aq edhe i Sali Berishës. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, drejtësia po merr të pandehur jo vetëm qeverinë, por edhe opozitën si entitete politike të dyshuara për financime të paligjshme dhe para të pista. Ky realitet shkatërron përfundimisht mitin se Berisha përfaqëson alternativën ndaj Ramës.
E çfarë kemi sot?
Historikisht në Shqipëri, SPAK nën drejtimin e SHBA-së (zyrtarisht madje përmes projektligjit që hyn në fuqi në mars në DASH) ka marrë të pandehur si qeverinë (Balluku, Veliaj, Beqja, Xhaçka, Krifca, Manastirliu etj.), ashtu edhe opozitën. SPAK tashmë po heton zyrtarisht Rithemelimin për financime të paligjshme dhe para të pista.
Ku është parë në një vend të planetit që drejtësia të marrë të pandehur si qeverinë, por edhe opozitën si entitete politike që operojnë me para të pista, korrupsion dhe krim? Askund.
Kjo situatë është e paprecedentë dhe shkatërruese për mitin se Berisha përfaqëson opozitën ndaj Ramës. Në sytë e publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë, të dy po shihen gjithnjë e më shumë si pjesë e të njëjtit sistem të kapur nga oligarkia.
Dhe këtu shpjegohet pse për Shqipërinë u propozua në Uashington që DASH të hetojë dhe auditojë një për një oligarkët, statusin e tyre si investitorë strategjikë në kulla dhe bregdet, pasuritë e politikanëve, PPP-të dhe koncesionet.
Padyshim që lokomotiva e këtij treni që përfaqëson sistemin e korruptuar që ka pushtuar Shqipërinë është PS-ja dhe timonieri është Edi Rama, por në këtë tren, vagoni kryesor mesa duket është PD-ja e Rithemeluar me në krye Sali Berishën. Dhe natyrshëm lindin disa pyetje:
A u investuan oligarkët për të financuar supermakinerinë e Berishës pas 9 shtatorit 2021?
A ka lidhje ekonomike të errëta familja Berisha me Manen, Frangajn, Ulajn, Kastratin, Sallilarin, Bamin etj.?
A është djali i Berishës një nga përfituesit më të mëdhenj të statusit “investitor strategjik” përmes Ilir Shtufit dhe Shkëlqim Beshirit, të cilët kanë marrë dy kulla në Tiranë mbi 100 kate në total dhe disa resorte në bregdet me vlera dhjetëra milionë euro?
Këto indicie ose shenja do t’i verifikojë tashmë SPAK dhe auditimi që do të bëjë pas marsit DASH, por sot kemi mbi 30 oligarkë që janë bastisur nga hetuesit e BKH-së për afera korrupsioni dhe, paralelisht, kemi Ballukun nga PS-ja dhe Këlliçin nga PD-ja që po hetohen në SPAK për paratë e pajustifikuara që operojnë partitë e tyre.
Këtu, përsëri, shfaqet shndritshëm silueta e Lulzim Bashës në horizont, sepse ishte ai që ua tha këtë të vërtetë të madhe demokratëve dhe shqiptarëve nga 2021 deri në 2025. Mbi të gjitha, ai që në momentin më kritik zgjodhi drejtësinë dhe aleatët perëndimorë si instrument për të luftuar sistemin dhe Edi Ramën, jo rrugën e populizmit me revolucione demokratike të dështuara.
Kjo është arsyeja pse Berisha e sulmon sot me kaq ashpërsi: sepse koha, për herë të parë, nuk po punon më në favor të tij, por po i rikthen vëmendjen publike te e vërteta që Basha artikuloi herët dhe pagoi shtrenjtë për të.
Aq shtrenjtë i pagoi Basha këto të vërteta, sa humbi betejën katërvjeçare me sistemin, (Rama–Berisha–Meta), që ai e definonte si trekëndëshi i Bermudës. Por pse e humbi? Mos vallë sistemi kishte këta oligarkë që sot po u bastisen shtëpitë dhe zyrat për lidhje korruptive dhe financime ndaj Ramës e Berishës? Mos vallë këta oligarkë komandojnë median dhe analistët në Shqipëri?
Për shembull, kur Lulzim Basha dhe partia e tij ligjëronin pro SPAK-ut, analistët kryesorë në media e quanin drejtësinë shërbëtore të Ramës dhe Bashën levë të Ramës. Mos vallë kur Belinda Balluku për tunelin e Llogarasë, inceneratorët, kullat e Malit të Ilir Shtufit paditej në SPAK nga Basha, Berisha dhe Rama me oligarkët e tyre e dërmonin figurën e Bashës duke orientuar opinionin publik te flokët e tij, te batutat, por kurrsesi te politika e tij?
Por sot, kjo makineri me ingranazhe Ramën, Berishën dhe oligarkët, që rrezikon të shkërmoqet nga SPAK dhe SHBA, a po i kuptojnë qytetarët sakrificën sublime të Bashës? Meritat e tij të mëdha?







