Tekniku i Teutës, Enkeleid Dobi dha mendimin e tij para ndeshjes ndaj Dinamos.
Afrimet në merkato – “Besoj se në ndeshjen e parë jo të gjithë do të jenë në të njëjtin nivel përgatitjeje fizike apo kondicioni. Daci, për shembull, ndeshjen e fundit e ka luajtur në muajin nëntor. Dihet që stërvitja individuale nuk është e njëjtë me atë në grup. Megjithatë, me kalimin e kohës, afrimet do të japin ndihmën e tyre dhe do të përshtaten si me konceptin, ashtu edhe me idenë e përgatitjes fizike, për të arritur nivelin e duhur”.
Ndeshja me Dinamon – “Synimi ynë është fitorja dhe do të punojmë në atë mënyrë që të dalim me tri pikë. Është një ndeshje e vështirë, pasi Dinamo për momentin është ekipi më në formë, gjë që e ka treguar me lojën dhe rezultatet e fundit. Megjithatë, ne nuk kemi kontroll mbi atë që bën Dinamo, por kemi kontroll mbi mënyrën se si reagojmë ne. Fokusimi ynë është puna e përditshme dhe, nëse do të jemi të organizuar dhe të disiplinuar në mënyrë perfekte, duke ditur që Dinamo ka cilësi, por edhe duke vlerësuar veten tonë, mendoj se mund t’ia dalim me sukses”.
Bilanci pozitiv në dy fazat e para të Superiores – “Nuk mendojmë shumë për statistikat. Jemi të vetëdijshëm për cilësitë tona dhe për punën që bëjmë çdo ditë. Në çdo ndeshje hyjmë për tri pikë. Futbolli është i paparashikueshëm dhe nuk dihet gjithmonë çfarë ndodh. Dëshira dhe vullneti janë, por gjithçka duhet përkthyer në fushë. Në ndeshjen me Vorën pamë një Teutë shumë entuziaste në interpretimin e lojës, por duhet të jemi më cinikë në realizim dhe në finalizimin e aksioneve. Objektivi ynë është të rikthehemi te fitorja në kampionat pas pesë ndeshjesh pa fitore”.
A prisni ende afrime të tjera në merkato? – “Presim edhe 2–3 afrime të tjera. Sa më shpejt të ndodhin, aq më mirë, si për ne ashtu edhe për lojtarët, në mënyrë që të përshtaten sa më shpejt me strukturat dhe linjat tona, që ekipi të funksionojë sa më mirë.
Problemi i golit – “Merkatoja është bërë në atë mënyrë që të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi. Çdo ekip ka vështirësitë e veta. Problem do të ishte nëse nuk do të krijonim raste, por ne po i krijojmë. Finalizimi është çështje kohe. Afrimet që po bëjmë tregojnë se janë lojtarë cilësorë në repartin e sulmit dhe besojmë se do të na ndihmojnë edhe me gola.







