Ballina Politika Zef Preçi: Daljet e Belinda Ballukut, sfidë e hapur dhe poshtërim për...

Zef Preçi: Daljet e Belinda Ballukut, sfidë e hapur dhe poshtërim për opinionin publik

13
0

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi komentoi praninë e zëvendës kryeministres së pandehur Belinda Balluku afër të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së, Nancy Vanhorn, gjatë një aktiviteti dy ditë më parë.

I ftuar në emisionin ‘Oponencë’ në News 24, ai theksoi se daljet publike të zëvendës kryeministres, ndaj së cilës SPAK ka kërkuar edhe arrestimin e saj, janë një ‘sfidë e hapur’ dhe një ‘poshtërim’ për opinionin publik, duke marrë parasysh se akuzohet për vjedhjen e miliona euro të taksapaguesve shqiptarë.

Ai ngriti shqetësimin se si Balluku, por edhe të tjerë zyrtarë, nuk e kanë ‘kulturën’ e dhënies së dorëheqjes.

‘Sa i takon marrëdhënieve të përfaqësive diplomatike është se kur merr pjesë kryeministri, merr pjesë edhe niveli më i lartë i ambasadës, për më tepër kur bëhet fjalë për investim që vjen nga SHBA. Kjo nuk do të thotë që qeveria amerikane investohet në favor të këtij apo lideri. E para, zonja Balluku është subjekt i hetimit. E dyta është sfidë e hapur dhe poshtërim që i bëhet opinionit publik me daljet publike të saj. Askush nuk jep dorëheqje në këtë vend. As drejtori i policisë pas arratisjes së të shumëkërkuarit dje.

Tregon se mbrojtja politike që u bëhet personave me pushtet dhe kapja pas karriges të kujton fjalimin e Nolit këtu e 100 vjet përpara, atë me persët…Ka probleme të mëdha të qeverisjes, personalizim të pushtetit dhe po i heqin maskat të gjithë. Dikush bën thirrje për amnisti politike, dikush të heqë nenin për shpërdorim detyre. SPAK nuk është perfekt por në të njëjtën kohë është institucioni që gëzon prej 5 vitesh besueshmërinë më të lartë publike në këtë vend dhe mundësi për të rivendosur ekuilibrin’, theksoi Preçi.

Kujtojmë që Balluku akuzohet për vjedhjen e 50 milionë eurove nga tuneli i Llogarasë. Ajo është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në këtë tender, ndërsa është nën hetim edhe për procedura të tjera tenderuese, si ato të Loteve të Unazës së Madhe në Tiranë. SPAK ka kërkuar gjithashtu që t’i hiqet edhe imuniteti, me qëllim arrestimin e saj.