Ballina Kosovë Avdullah Hoti: Nëse LDK nuk ndërmerr këto veprime, do të jap dorëheqje

Avdullah Hoti: Nëse LDK nuk ndërmerr këto veprime, do të jap dorëheqje

28
0

Ish kryeministrit i Kosovës, dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti në një postim të tij në facebook ka bërë thirrje që partia e tij të reflektoj.

Ai shkruan se secili nga ta kanë përgjegjësi politike dhe kanë detyrim të mos qëndrojnë anash proceseve vendimtare për LDK-në.

“Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, shkruan ai.

Hoti ndër të tjera thotë se nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hapet rruga për një reformim të tillë, atëherë do të pasojë edhe dorëheqja e tij.

Postimi i plotë:

Në këtë moment të ndjeshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës, angazhimi im dhe thirrja ime është për unitet dhe reflektim të përbashkët për rrugën përpara. Secili prej nesh që mban përgjegjësi politike ka detyrimin të mos qëndrojë anash proceseve vendimtare për të ardhmen e LDK-së. Vetëm me qetësi, pjekuri politike dhe gjithëpërfshirje mund ta rikthejmë besimin e qytetarëve dhe ta kthejmë LDK-në në shërbim të Kosovës.

Statuti i LDK-së është i qartë. Në rast dorëheqjeje të Kryetarit të LDK-së, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për këtë dorëheqje. Pas këtij akti të njoftimit, Kuvendi e zgjedh Kryetarin e ri të LDK-së. Kaq. Kështu ka ndodhur në vitin 2021. Çdo devijim nga kjo procedurë statutare është tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike të lidershipit të LDK-së.

Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse.

Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe ai nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi.

LDK-ja ka potencial të jashtëzakonshëm politik, njerëzor dhe programor. Ky potencial duhet të vihet në shërbim të interesave të shtetit dhe të qytetarëve përmes një reformimi të thellë, gjithëpërfshirës, transparent dhe statutar.

Për këtë arsye, në takimin konsultativ të para dy ditëve kam paralajmëruar qartë se, nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hapet rruga për një reformim të tillë, do të pasojë dorëheqja ime nga organet drejtuese të LDK-së. Ky nuk është akt emocional, por një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së.

Të gjithë ne që kemi përgjegjësi politike para elektoratit të LDK-së kemi për obligim të sigurojmë një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe statutar të zgjedhjes së lidershipit të ri të LDK-së. Secili nga ne, përfshirë anëtarët e Kryesisë, të Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së, kemi përgjegjësi për t’i dhënë LDK-së drejtimin e duhur.