Ish-ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka komentuar zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuse në lidhje me sekuestrimin e celularëve nga ana SPAK gjatë hetimeve për çështje të caktuara.
Postimi i plotë i Halimit:
Çështje që mund të mësojmë nga Vendimi 44/2024 i Gjykatës Kushtetuese për sekuestrimin e Telefonave dhe pajisjeve elektronike dhe rëndësia e tij!
Vendimi 44/2024 i GJK vjen pas vendimit të saj të drejtë lidhur me SkyECC dhe EncroChat një vit më parë, si dhe pas veprimeve të diskutueshme të përgjimit të anëtarëve të kësaj gjykate nga SPAK – çështje që i kam analizuar vetë një vit më parë.
Rasti në fjalë përmend gjithashtu se në telefonin e sekuestruar (objekt i këtij gjykimi) janë gjetur komunikime të një anëtari të GJK me familjarë të ankueses (faqe 5), duke ngritur sërish çështjen e konfliktitbtë interesit dhe përjashtimit të gjyqtarit (i cili më parë kishte dhënë dorëheqje).
Kjo ringre sërish diskutimin për proporcionalitetin, por edhe për presionin e mundshëm dhe për kompleksimin e palëve në proces.
Është e rëndësishme të theksojmë paraprakisht se sekuestrimi i telefonit u bë ndaj një personi që nuk ishte nën hetim dhe pa praninë e avokatit (f. 17). Ankuesja e dorëzoi telefonin me pëlqimin e saj dhe nënshkroi procesverbalin pa vërejtje.(Shënimi im: Mos e dorëzoni kurrë telefonin pa vendim gjykate. Mos jepni pëlqim verbal/oral dhe mos nënshkruani procesverbale pa konsultim me avokatin tuaj.)
Tani le të shohim pikat kyçe të vendimit që kanë interes të madh për praktikën penale:
1. Vendimi nuk ka efekt prapaveprues për raste të ngjashme sekuestrimësh apo hetimesh ku nuk është bërë ankim kushtetues më parë ose ku procesi është përfunduar. (F. 59) Ai ka fuqi vetëm për rastet e reja. (Shënimi im: Nëse mendoni se ju janë shkelur të drejtat, bëni menjëherë ankim kushtetues, sepse bien në dekadencë.)
2. Të dhënat që përmban një telefon celular në përdorim janë të dhëna personale dhe mbrohen nga neni 35 i Kushtetutës. (f. 20)
3. Komunikimet në telefon, ËhatsApp, Signal, Facebook, etj. (nëpërmjet telefonit, kompjuterit apo iPad-it, me SMS, email, etj.) janë forma të korrespondencës elektronike dhe ekuivalente me korrespondencën tradicionale me letra e zarfa, prandaj mbrohen nga neni 36 i Kushtetutës. (f. 23)
4. Sekuestrimi i telefonit/kompjuterit/iPad-it etj., si dhe i të dhënave elektronike dhe korrespondencës (përfshirë kopjimin dhe ruajtjen e tyre) pa vendim gjyqësor specifik përbën ndërhyrje intensive dhe shkelje të rëndë të nenit 8 të KEDNJ-së dhe neneve 35 & 36 të Kushtetutës. (f. 24–26)
5. Dhënia e pëlqimit nga personi për dorëzimin e celularit pa praninë e avokatit nuk përbën heqje dorë nga mbrojtja e neneve 35/36 të Kushtetutës. (f. 27)
6. Nënshtrimi pa vërejtje i procesverbalit të sekuestrimit apo këqyrjes së telefonit/PC/laptop nuk përbën heqje dorë nga të drejtat e neneve 35/36 të Kushtetutës. (f. 28–29)
7. “Modus operandi” i ndjekur deri tani (sekuestrim i telefonit + marrje dhe kopjim i të dhënave pa kontroll gjyqësor) është “ndërhyrje intensive” në privatësi dhe duhet të bëhet vetëm me autorizim paraprak nga gjykata. (f. 41–42)
8. Telefonat inteligjentë nuk janë “sende të zakonshme”. Marrja e të dhënave dhe aksesimi i gjerë i tyre përbën shkelje “veçanërisht të rëndë” dhe sensitive sipas GJEDNJ-së dhe GJK-së të neneve 8 KEDNJ dhe 35/36 Kushtetutë. (f. 42)
9. Marrja e telefonit nga OPGJ pa vendim paraprak gjyqësor (edhe në kushte emergjence) nuk justifikon kopjimin e të dhënave. Procesi i mëtejshëm duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor “ex ante”. (f. 42)
10. Edhe kur sekuestrimi ka autorizim paraprak nga gjykata, mënyra e kërkimit dhe përzgjedhjes së të dhënave duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor me kërkesë të prokurorit dhe vendim të gjykatës. (f. 43)
11. Sekuestrimi dhe marrja e të dhënave duhet të ndjekë këto rregulla:
a) të bëhet në prani të individit dhe avokatit
b) të ndalohet bërja e kopjeve pa vendim gjykate
c) të bëhet ndarja e të dhënave që kanë rëndësi nga ato që gëzojnë mbrojtje ligjore të veçantë
d) çdo ndërhyrje të ketë kontroll real gjyqësor
e) të ndiqet parimi i minimizimit (faqe 48–49)
12. Kopjimi i të dhënave që nuk lidhen me hetimin cënon rëndë fshehtësinë e korrespondencës dhe nuk është proporcional. Këto të dhëna duhet të asgjësohen edhe kur telefoni mbahet në sekuestro për kohë të gjatë nga prokuroria.
Ky vendim është një vendim drejtësie i balancuar: vendos ekuilibër mes interesit publik (lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit) dhe të drejtave private. Është në përputhje me standartet më të larta të vendosura nga mbi 45 vendime të GJEDNJ dhe Gjykatave të larta relevante në vende të tjera të KiE dhe BE.
Nuk ka efekt prapaveprues, por shërben si udhërrëfyes i fortë për të ardhmen e drejtësisë penale dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri.



