Nga Shpendi Topollaj
Me librin e saj “Në shërbim të jetës”, shkrimtarja fushëgjerë Eva S. Ceca, shkon përtej vlerave të padiskutueshme profesionale dhe njerëzore të dr. Lame Koçit; ajo i bën një homazh mëse të merituar të gjithë atyre mjekëve që vunë të gjitha fuqitë e tyre mendore dhe fizike në shërbim të gjësë më të çmuar, shëndetit. Qysh në kohën e tij, krahas shumë dijetarëve të tjerëve, Lukiani e vlerësonte kështu atë: “Nuk ka asnjë dobi nga të gjitha të mirat, pa përjashtim, po qe se mungon shëndeti”. Shqipëria ka qenë me fat që në gjurmët e atyre burrave që studiuan në Universitetet më të shquara të Evropës, dhe pasi u kthyen, u vunë në shërbim të popullit të tyre, madje edhe duke hedhur themelet e një mjekësie moderne, ecën edhe mjekët që u shkolluan në atdhe, dhe pasi shkuan deri në zonat më të thella, me një humanizëm të pashoq, e çuan aftësimin e tyre në nivele shumë të larta shkencore. Mjekët tanë, janë ndeshur me një mori vështirësishë e mangësishë, por gjithmonë kanë triumfuar me një vullnet të hekurt, me përkushtim dhe ndershmëri. Rasti i dr. Lame Koçit është shembulli më elokuent i kësaj të vërtete. Mua vetëm një herë m`u dha mundësia ta takoj atë, teksa i shkova në shtëpi për një shqetësim që pati mbesa, dhe më ka mbetur në mendje, ajo fytyra e tij fisnike, lëvizjet e matura, thjeshtësia, mikpritja, kultura që shprehte, shakatë dhe besimi që ngjallte me fjalën e ngrohtë miqësore. Ai sillej ashtu sikurse porosiste Franz Kafka që thosh se “Të shkruash receta është e lehtë, por ama, të kuptohesh me njerëzit është e vështirë”. Në hyrje të librit shkrimtarja Eva Ceca shprehet se: “Ky libër është rrëfimi i jetës së tij, një jetë që filloi në ishullin e Korfuzit, u formula mes maleve të Lunxhërisë dhe u përkushtua në shërbim të të tjerëve në një pjesë të madhe të kohës. Janë kujtime që përfshijnë në brendësi një poezi të heshtur.” E ka thënë shumë bukur: poezi e heshtur. Se dr. Lamja, sikurse del në libër, nuk di të mburret. E pyet atë, dhe ai e shpije fjalën te të tjerët. Dhe është kjo arsyeja që autorja e kësaj monografie, si për të plotësuar dëshirën e tij, u jep një vend jo të vogël shokëve, miqve, të afërmëve dhe sidomos kolegëve të tij. Prandaj nuk çuditemi aspak kur gjejmë aty diçka nga jeta dhe vepra e atyre mjekëve, emrat e të cilëve kanë mbetur në kujtesën e brezave, si Petro Cani, Ylli Popa, Petrit Gaçe, Rushen Golemi, Anesti Boçka, Selaudin Bekteshi, Petrit Selenica, Durim Bebeçi, Hëna Dino, Thoma Kristo, Besim Zyma, Shefqet Ndroqi, Koço dhe Orion Gliozheni, Bajram Preza, Pëllumb Karagjozi, Ahmet Alliu, Panajot Boga, Fatos Harito, e plot të tjerë. Vetë Lamja i cili edhe për tre muaj mbush 90 vjeç, ishte bir i një familjeje me rrënjë në Stegopul, aty, ku siç shkruan autorja: “… ajri është i hollë dhe malet të mësojnë të mbash qëndrim, edhe kur fryn stuhia fort”. Gjyshi i tij Kiço Koçi dhe i ati Spiro, ende fëmijë, shkuan në Stamboll, dhe më tej Spirua disi i burrëruar, mori rrugën e emigrantit në Amerikë, pa i shkëputur lidhjet me vendin e tij. Nëna e Lames ishte Katerina Lilati, po nga Stegopuli. Autorja flet me shumë dashuri për këtë zonjë: “Nëpër kalldrëmet e fshatit… ku gurët e shtëpive ruanin histori të pathëna dhe ajri mbante erë trëndelinë, kur vajzat vishnin petkat e grave me vetëm pak pranvera mbi supe, Katerina rrezatonte një bukuri që trondiste jo vetëm sytë e të rinjve, por edhe zemrat e nënave që ëndërronin nuse të tilla për bijtë e tyre”. Edhe fotot ilustruese të librit, tregojnë qartë kulturën dhe qytetërimin e familjes ku u lind dhe u rrit Lamja. Filozofi dhe pedagogu i madh Jean Jacques Rousseau kishte mendimin se “Fëmijëria ka mënyrën e vet për të parë, për të menduar, për të ndier: dhe është absurde të kërkojmë ta ndryshojmë këtë mënyrë”. Këtë ka pasur parasysh me sa duket edhe Eva Ceca kur përshkruan vitet e fëmijërisë të Lames së vogël. I çpenguar, gjithë çapkënllëqe, përherë në lëvizje, ndofta dhe i përfshirë në ndonjë prapësi, ai gdhendi dashurinë për shokët e tij, dashuri që nuk iu fashit asnjëherë. Stegopuli ishte fshati i shumë kishave dhe i një manastiri rreth 500 vjeçar, dhe Lames i kishin mbetur në mendje jo vetëm magjia e ikonave, por edhe ajo harmonia e banorëve që mblidheshin nga fshatrat përreth, më 20 korrik, për të festuar Ditën e Shëndëlliut. Por ngjarjet rrodhën të tilla që ai edhe pse ende i parritur, të përjetonte tragjedinë e Operacionit të Dimrit, ku pa me sytë e tij sesi i shkrumbohej shtëpia dhe i masakrohej gjyshi, për faktin se kishte dy djem në mal me armë kundër okupatorit. Paralelisht vinë edhe vitet e shkollimit, ku Lamja dallohej për zellin e tij dhe rezultatet e larta. Këtu i lindi, për të mos iu ndarë kurrë, edhe dëshira për librat e kryesisht për ata artistikë, për çka flet edhe miqësia e tij me profesorët Alfred Uçi, Hamir Beqja etj. Këtu ai kujton me radhë familjet fqinje Konomi, Papavangjeli, Koçonaqaj – Pano, Bogai, Mame, Dedej, Suho, Mitrokostaj, etj. Më tej, shkolla e mesme dhe Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë, dhe dashuria e tij me doktoreshën – shkencëtare, Jolandën (Mjeshtre e Madhe). Lamja emërohet në spitalin e Peshkopisë, ku punoi me gjithë shpirt, duke iu gjendur nevojtarëve në çdo kohë që e kërkonin. Ai ishte pediatër dhe e dinte se sa kujdes duhej bërë në përcaktimin e diagnozave për të vegjlit që nuk dinin ta orientonin mjekun. Doktor Lamja e kishte metodë të punës së tij jo vetëm studimin e literaturës mjekësore, por gjithmonë konsultohej me mjekët e tjerë. Edhe kur erdhi në Tiranë në spitalin e Fëmijëve, si mjek, deri si shef reparti, në Ministri te Drejtoria “Nëna dhe Fëmija”, ku mori pozicionin e drejtorit, apo në Poliklinikën Qendrore, si shef kabineti për sëmundjet infektive për fëmijët e qytetit dhe rrethit të Tiranës, ai kurrë nuk hezitonte të bisedonte me kolegët, për ata që ishin në gjëndje të rëndë apo kishin diagnoza të rralla. Lamja i ndiqte pacientët edhe pas daljes nga spitali dhe kështu fitonte respektin e çdo prindi. Ai nuk u mërzit asnjëherë kur të shqetësuar, prindërit ia çonin fëmijën e sëmurë në shtëpi, apo e thërrisnin në mes të natës për vizitë. Dhe po të ndodhte që fuqia e natyrës e mundte aftësinë e shkencës mjekësore, dr. Lamja hidhërohej e derdhte lot. Është domethënës ai rasti, kur ish pacienti i pashpresë i dikurshëm, i shkon ta takojë së bashku me të shoqen, duke e falenderuar se; ti më shpëtove jetën. Por dr. Lamja nuk iu nda edhe punës krijuese: ai shkroi dhe botoi “Pediatria dhe Puerikultura” (me bashkautor), “Njohuri për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve”, “Sëmundje pediatrike”, “Pediatria infermieristike” (këto dy të fundit për studentët e Fakultetit të Infermierisë) dhe dhjetra artikuj të botuar në revista mjekësore. Gjithashu dr. Lamja është autor i shumë temave shkencore dhe studimore të mbajtura në seminare e konferenca të ndryshme, si dhe pedagog universiteti, si ai i Infermierisë dhe “Kristal”. Duhet theksuar se shkrimtarja Eva Ceca na e ka dhënë profilin e nderuar të mjekut, të pa ndarë nga ai i bashkëshortit, prindit e deri gjyshit e stërgjyshit. Ajo na jep vlerat e larta të Jolandës, shkencëtares të parë të shkollës tonë në fushën e Epidemiologjisë, që fitoi simpatinë e kujtdo që dëgjonte kumtesat e saj nëpër forumet ndërkombëtare, fatin e saj të keq dhe dinjitetin me të cilin e përballoi sëmundjen, deri sa ndërroi jetë para kohe. Po ashtu, ajo na tregon rrugët e suksesshme të djemve të tij Spiros dhe Florianit, i pari diplomat (deri ambasador dhe përfaqësues i Shqipërisë në disa organizma të rëndësishme ndërkombëtare), dhe i dyti mjek kardiolog në SHBA, si dhe lidhjen e jetës me një grua të mrekullueshme, gjithashtu mjeke bakterologe, Luizën, vajzën e mrekullueshme të njërit nga gjeneralët tanë më të talentuar, Abaz Fejzos. Marrëdhëniet e tyre për mbi tre dakada martesë me këtë grua të suksesshme, Lamja i përcakton kështu: “Liza erdhi në shtëpinë time në një moment kritik, por shumë shpejt më dha kuarajë për të ecur përpara, aftësi për të kapërcyer çdo pengesë dhe më ktheu në aftësitë e mia për të dashur njerëzit, e në mënyrë të veçantë Lizën dhe për të jetuar. Liza kishte aftësitë e nevojshme për të ringritur familjen tonë, se pas vdekjes së parakohshme të Jolandës, për mua asgjë nuk kishte kuptim. Ajo kishte aftësi të mëdha për të më bërë që t`i kthehem punës me atë përkushtimin e parë, për të qenë i dashur jo vetëm me njerëzit e mi, por edhe me njerëzit në përgjithësi. Njohja me Lizën më njohu me njerëzit e saj, e në mënyrë të veçantë me nënën e saj, e cila ishte një grua e veçantë për familjen dhe të afërmit. Ajo ishte një grua e aftë dhe me dije, një udhëheqëse e zonja në jetën e familjes së saj”. Eva, në kapituj të veçantë shpalos edhe gëzimet e familjes dhe vizitat e Lames me Lizën në shtete të ndryshme, dhe na jep përshtypjet e tyre nga kulturat që ndeshnin atje. Për këta bashkëshortë, japin opinionet e tyre dhe djemtë e Lames, gratë e fëmijët e tyre dhe mjaft nga miqtë e tij. Të gjithë ndihen të lumtur dhe krenarë për sa ka bërë ai dhe emrin e mirë që gëzon ngado. Se fundja dr. Lame Koçi, sikurse thotë autorja e librit, “…nuk është vetëm mjek. Është artist në shpirt dhe ka gjithmonë një kthjellësi mahnitëse… me shpirtin e përjetshëm të një njeriu që vazhdon të dashurojë jetën”. Dhe ndofta pikërisht për këtë, jeta e tij ngjan me një poezi që edhe pse hesht, nuk ka nevojë të komentohet. Një poezi që më shumë se kurrë, duhet ta mësojnë dhe të mbesë si shembull që duhet ndjekur nga të gjithë mjekët që i janë betuar themeluesit të mjekësisë klinike, Hipokratit, bashkëkohësit të Platonit, dhe pasardhësit të hyjnisë Asklep.







