Ballina Ekonomia Prej 1 janarit rritet me 10 mijë lekë dhe paga minimale e...

Prej 1 janarit rritet me 10 mijë lekë dhe paga minimale e ajo maksimale

9
0

Nga 1 janari 2026 rritet paga minimale dhe maksimale. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se paga minimale mujore bëhet 50 mijë lekë, ndërsa paga maksimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore, do të jetë 186 416 lekë.

Tatimet njoftojnë se ndryshimet vlejnë për të punësuarit, vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes.

Paga minimale u rrit me vendim të qeverisë nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, ose 10 mijë lekë më shumë.

Rritja e pagës minimale çon automatikisht edhe në rritjen e pagës maksimale. Që nga mesi i vitit 2023, paga maksimale, për efekt kontributi, rritet me të njëjtën masë dhe në të njëjtën kohë me masën që rritet paga minimale në shkallë vendi.

Si rrjedhojë, edhe paga maksimale do të rritet me 10 mijë lekë. Ky ishte një lehtësim për punëdhënësit dhe punëmarrësit me paga të larta, pasi deri në vitin 2023 paga maksimale rritej me të njëjtën përqindje që rritej ajo minimale, duke rënduar ndjeshëm si punëdhënësit, ashtu edhe punëmarrësit.

Rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë do të prekë 307 mijë e 850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat.

Sipas vendimit të qeverisë, për 9 muajt e parë të zbatimit të pagës minimale, kostoja e rritur për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk do të paguhet nga biznesi, por nga shteti.

Ndaj, në buxhetin e shtetit është përcaktuar fondi prej 1 miliard lekësh për kompensimin e kontributeve të punëdhënësit si rezultat i rritjes së pagës minimale.