Ditën e sotme, 8 muaj me vonesë nga kërkesa e bërë nga lideri i opozitës, Gjykata Kushtetuese e Republikës ka dalë zbuluar jo si organi i vetëm dhe më i lartë i vendit në vënien e drejtësisë, por si një degë e Rilindjes së Edi Ramës.
Sot, Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendim për kërkesën e Sali Berishës mbi tre qëndrimet e gjykatave më të ulëta lidhur me masën e arrestit shtëpiak, duke i dhënë të drejtë ish-kryeministrit se kohëzgjatja e mbajtjes nën arrest shtëpiak ishte e tejzgjatur.
Çështja lidhet me qëndrimin e avokatëve të Berishës, të cilët gjatë raportimit apo informacionit dy-mujor kundërshtuan qëndrimin e Irena Gjokës, e cila insistonte se Berisha duhet të vazhdonte të qëndronte nën arrest shtëpiak. Një masë që, siç rezultoi, u kthye në detyrim paraqitjeje në janar të vitit 2025.
U kujtuan të vendosin drejtësinë në vend?
Jo.
Atëherë, pse pikërisht tani ky vendim?
Gjykata Kushtetuese e ka dhënë këtë vendim pas plot 8 muajsh. Thënë me fjalë të tjera, sot ky vendim është i pavlerë, pasi lideri i opozitës u mbajt në arrest për plot 333 ditë dhe Kushtetuesja as nuk denjoi ta merrte në shqyrtim antikushtetutshmërinë e masave në kohën e duhur.
E njëjta Gjykatë Kushtetuese rrëzoi më herët kërkesën e deputetëve të opozitës parlamentare për këtë çështje, por ia pranoi kërkesën Edi Ramës për Belinda Ballukun.
Arsyeja e vetme e këtij vendimi nuk është Sali Berisha, por hapja e një precedenti për të favorizuar Belinda Ballukun, Erion Veliajn dhe gjithë shpurën tjetër të Rilindjes që kanë masa nga shkallët e tjera të gjyqësorit.
Pra, sot Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar se po merr përditë e më shumë formën e një seksioni të Rilindjes, të komanduar dhe të kontrolluar nga Edi Rama.







