Ballina Bota Administrata e Presidentit të SHBA-së u kërkon vendeve që synojnë një vend...

Administrata e Presidentit të SHBA-së u kërkon vendeve që synojnë një vend të përhershëm në Bordin e tij të Paqes të kontribuojnë të paktën 1 miliard dollarë.

20
0

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po u kërkon vendeve që synojnë një vend të përhershëm në Bordin e tij të ri të Paqes të kontribuojnë të paktën 1 miliard dollarë.

Kështu parashikon një draft-statuti i grupit të propozuar, i siguruar nga Bloomberg.

Sipas dokumentit, Trump do të shërbejë si kryetari i parë i Bordit të Paqes dhe do të ketë kompetencën të vendosë se cilat shtete ftohen si anëtare. Vendimet do të merren me shumicë votash, ku çdo shtet anëtar i pranishëm do të ketë një votë, por të gjitha do t’i nënshtrohen miratimit përfundimtar të kryetarit.

Drafti përcakton se mandatet e anëtarëve do të zgjasin deri në tre vjet, me mundësi rinovimi nga kryetari. Megjithatë, ky kufizim nuk do të zbatohet për shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e kartës, duke u siguruar atyre anëtarësi të përhershme.

Kritikët shprehin shqetësimin se nisma e Trump synon të krijojë një alternativë ose rivale ndaj Kombeve të Bashkuara, organizatë që ai e ka kritikuar vazhdimisht. Në statut, Bordi i Paqes përshkruhet si “një organizatë ndërkombëtare që synon promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së besueshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.

Plani parashikon që bordi të bëhet zyrtar sapo tre shtete të bien dakord për statutin. Trump do të ketë gjithashtu fjalën e fundit për miratimin e vulës zyrtare të organizatës dhe për rendin e ditës së mbledhjeve, të cilat do të mbahen të paktën një herë në vit.

Në kuadër të kësaj nisme, Trump ka ftuar disa udhëheqës botërorë, përfshirë presidentin e Argjentinës Javier Milei dhe kryeministrin e Kanadasë Mark Carney, të bashkohen në një Bord Paqeje për Gazën e pasluftës, që do të funksionojë nën ombrellën e Bordit të ri të Paqes. Ky plan ka ngjallur reagime të menjëhershme, përfshirë kritika nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se detajet nuk ishin koordinuar me Izraelin.

Burime të njohura me çështjen thonë se disa vende evropiane janë ftuar të marrin pjesë, por kundërshtojnë draftin aktual, veçanërisht rolin dominues të Trump në kontrollin e fondeve. Disa shtete po punojnë për të kundërshtuar kolektivisht propozimet.

Një zyrtar amerikan konfirmoi për Bloomberg se anëtarësimi bazë do të ishte falas, por pagesa prej 1 miliard dollarësh do të siguronte status të përhershëm. Sipas tij, fondet do të përdoren drejtpërdrejt për zbatimin e mandatit të Bordit të Paqes, përfshirë rindërtimin e Gazës, duke garantuar që pothuajse çdo dollar të shkojë për këtë qëllim.

Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu krijimin e një paneli të parë ekzekutiv, ku do të përfshihen Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, Jared Kushner dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair, përpara formimit të plotë të bordit.