Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij, theksoi se Demokratët kanë dëshmuar në mënyrë të përsëritur se të pamundurën e bëjnë të mundur.
Berisha hodhi dritë mbi periudhën e diktaturës në Shqipëri, duke e cilësuar regjimin e parë totalitar si më mizorin në Europë, i cili ka lënë pas një pasqyrë të errët për historinë e vendit.
Kreu i PD përmendi gjithashtu ndikimin e diktaturës së dytë, që solli katastrofën demografike dhe ekonomike për shqiptarët, duke theksuar se, pavarësisht gjithë vështirësive, është qëndrueshmëria dhe vullneti i demokratëve që ka shpëtuar Shqipërinë nga falimentimi.
Berisha e vuri theksin tek besnikëria ndaj vlerave dhe idealeve të partisë, duke nënvizuar se demokratët janë ata që e kanë nxjerrë Shqipërinë nga situata të vështira duke u ngritur pas çdo krize.
Pjesë nga deklarata:
Miq, diktatura e parë totalitare ishte më mizorja në Europë. Ata që e kanë jetuar, ose që kanë lexuar për të, e kanë të qartë, ajo pushkatoi me gjyq dhe pa gjyq, si kundërshtarë politikë mbi 7 mijë shqiptarë, internoi mbi 40 mijë tjerë dhe persekutoi mbi 100 mijë. Pra, në këtë aspekt ai ishte regjimi më mizor i Europës. Diktatura e dytë e pasardhësve të tyre, në kushte të reja, përzuri në 10 vite nga Shqipëria, vetëm në hapësirën europiane 1.1 milionë shqiptarë. Diktatura e dytë me plaçkitjet ndaj shqiptarëve bëri që, qytetarët shqiptarë për herë të parë në historinë e tyre ngritën kokën dhe arriën të paguhen më mirë se kombet e tjera të rajonit, të zbresin me shpejtësi në vendin e fundit për rrogat dhe pensionet. Diktatura e dytë, bëri që drejtësia e tëra të shndërrohet në armë politike, të përdoret kundër opozitës dhe kundër pluralizmit politik, t’i japë licencë qeverisë për plaçkitjen e zgjedhjeve, bëri që zgjedhjet të jenë krejtësisht një fasadë.
Shqipëria pra, qeveriset nga një regjim që sillet ndaj pasurive të qytetarëve shqiptarë, buxhetit të tyre dhe aseteve publike, njëlloj si një pushtues i keq.
Këto janë kushtet, këto janë shkaqet pse ju jeni të lodhur, pse janë njerëzit të mërzitur, të dëshpëruar.
Por, një gjë miq, ju ftoj ju, ftoj çdo demokrat, ftoj çdo qytetarë të mos harrojë se geni ynë, geni i demokratëve, është geni i njerëzve të pamposhtur.
Demokratët janë ata burra dhe gra, djem dhe vajza që në mënyrë të përsëritur në historinë e këtij vendi kanë faktuar se të pamundurën e bëjnë të mundur plotësisht.
Ata kanë faktuar se janë dhe mbeten besnikë të vlerave që besojnë, të vërtetave që besojnë. Imagjinoni ju, ku ishim ne në vitin 1991, që duhet të ndërtonim një rend të ri? Cilat ishin njohuritë tona për rendin e ri? Inekzistente.
Por, vullneti dhe idealet tona ishin energji e pashtershme për të mësuar, për t’i zbatuar, për të transformuar Shqipërinë dhe e realizuam atë me vendosmërinë më të madhe. Një krizë e thellë pllakosi vendin edhe për gabimet të PD në vitin 1997. Menduan se kjo parti do të vidhisej në honet e historisë, do t’i harrohej emri, por jo. Rikujtoni pak se si u ngritëm? Po pse u ngritëm ne? Ne u ngritëm, jo se nuk kishim bërë gabim, por se u ngritëm të vendosur të korrigjojmë gabimin, u ngritëm me moral se ato borxhe që na i atribuonin, nuk i kishim, se qeveria nuk kishte prekur një qindarkë nga skemat piramidale. U ngritëm se, në kulmin e rebelimit, pavarësisht çmimit që mund të kishte, ne u thamë shqiptarëve të vërtetën: ne paratë nuk mund t’i kthejmë, sepse nuk mund të marrim paratë e atyre që nuk kanë vendosur në skema piramidale, t’i shpërndajmë për ata që kanë vendosur. Që në atë moment, ne kryenim një krim dhe turp, që nuk e merrnim kurrë për bazë.
Këto qenë arsyet, pse shqiptarët na rikthyen ne, na votuan masivisht në vitin 2001. Qemë të vërtetë. Ju kujtohet, kur e filluam protestën tonë me 30-50 vetë gjithësej.
E mbani mend?
Nuk u tërhoqëm, vazhduam në të drejtën tonë gjersa arritëm në fitore.



