Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka folur në foltoren e sotme në Kombinat për deklaratat e kryeministrit Edi Rama për mbylljen e RTSH-së.
Berisha tha se “mund të ketë caktuar ndonjë Carlo Bollino” për t’ja dhënë RTSH-në. Ndër të tjera ai tha se opozita do të bëjë gjithçka për të mbrojtur televizionin kombëtar.
“Ai sigurisht që ka caktuar ndonjë Carlo për t’i dhënë RTSH-në. Por shpresoj dhe besoj tek punonjësit dhe opozita do reagojë siç bëri me teatrin. Të gjitha vendet në Europë kanë televizione kombëtare, do t’ja japë me siguri atij ose ndonjë tjetri. Absolutish 42 banalistë dalin në studio për të mashtruar qytetarët dhe për të mbrojtur Edi Ramën. Tani ja paska vënë syrin RTSH-së, licencën ja jep dikujt, aty ndërton një kullë, por ne do bëjmë gjithçka që ta mbrojmë”, tha Berisha.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër Radio Televizionin Publik Shqiptar (RTSH), duke vënë në pikëpyetje funksionimin dhe cilësinë e shërbimit të tij. Rama tha se ka kërkuar mbylljen e përkohshme të RTSH-së, teksa theksoi se televizioni duhet të bëjë reformë para se të rikthehet në transmetim.







