Ballina Ekonomia FMN parashikon inflacion 2.8% për Shqipërinë për vitin 2026

FMN parashikon inflacion 2.8% për Shqipërinë për vitin 2026

19
0

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi parashikimet e inflacionit për vitin 2026, shumica e ekonomive globale pritet të shohin ngadalësim të rritjes së çmimeve, me normën mesatare globale të inflacionit të ulur në rreth 3.7% për vitin 2026, nga rreth 4.2% në 2025.

Rajoni i Ballkanit
Për vendet e Ballkanit Perëndimor, parashikimet e FMN-së tregojnë nivele të moderuara të inflacionit për vitin 2026: Maqedonia e Veriut parashikohet me një normë rreth 3.0%, Shqipëria rreth 2.8%, Kosova rreth 2.7%, dhe Mal i Zi rreth 2.3% në 2026, shifra që e vendosin rajonin nën mesataren globale dhe brenda një game të qëndrueshme të rritjes së çmimeve. Ndërkohë, Serbia pritet të shfaqë një inflacion më të lartë, rreth 4.0%, duke tejkaluar jo vetëm fqinjët, por edhe mesataren e parashikuar për Ballkanin.

Situata në botë

Në një kontekst më të gjerë global, FMN vë në dukje se ekonomitë e përparuara të Evropës dhe Azisë pritet të përjetojnë rritje çmimesh nën 2%, ndërsa vende që përballen me paqëndrueshmëri të fortë, si Venezuelë dhe Sudan, parashikohen me inflacione shumë herë mbi mesataren, deri në nivele ekstreme në rastin e Venezuelës, e cila vazhdon të përballet me inflacionin më të lartë në botë, me një diferencë shumë të madhe krahasuar me vendet e tjera, ndërsa inflacioni pritet të arrijë 682.1% në vitin 2026. (Shënim: këto parashikime janë publikuar përpara kapjes së presidentit Nicolas Maduro dhe planeve të SHBA-së për të marrë nën kontroll prodhimin e naftës venezueliane).

Ndërkohë, vendet e goditura nga konfliktet, përfshirë Sudanin, Iranin dhe Mianmarin, përballen me norma inflacioni që tejkalojnë 25%.

Në Shtetet e Bashkuara, inflacioni pritet të vijojë një prirje rënëse, megjithëse disa rreziqe mund të ndikojnë në perspektivë. Ndërsa parapërfshirja e tarifave zbuti efektet inflacioniste në vitin 2025, efektet e transmetimit mund të ndikojnë ndjeshëm çmimet për konsumatorët në vitin 2026.

Në të njëjtën kohë, disa ekonomi, nga Italia dhe Spanja deri te Senegali dhe Arabia Saudite pritet që inflacioni të afrohet me objektivin 2%.

Në kontrast, Zvicra dhe Lihtenshtajni parashikohen të kenë inflacionin më të ulët globalisht, në nivelin 0.6%. Për Zvicrën, një frangë zvicerane e fortë ka çuar në uljen e çmimeve të importeve, duke pasqyruar një tendencë të ngjashme me dy vitet e fundit.

Po ashtu, çmimet e konsumit në Tajlandë dhe Kinë pritet të rriten vetëm 0.7%, në kushtet e presioneve deflacioniste.

Këto projeksione nënvizojnë tendencën globale të ngadalësimit të inflacionit drejt niveleve më të afërta me objektivat afatmesme të politikave monetare, megjithatë me dallime të dukshme midis ekonomive të avancuara, atyre zhvilluese dhe vendeve me stres ekonomik të lartë.