Nga Arian Galdini
Dy porta hapen njëherësh sa herë Shqipëria merr një letër të madhe nga një kryeqytet i madh, porta e nderit, ku vendi ynë shihet, dëgjohet dhe ftohet si aleat, dhe porta e tundimit, ku pushteti i ditës përpiqet ta marrë këtë nder, ta vendosë mbi supe si kurorë personale dhe ta përdorë si mbulim për gjithçka që nuk do të dalë në dritë brenda vendit.
Këto dy porta nuk duhen ngatërruar, sepse pikërisht nga ky ngatërrim lind ajo plagë e vjetër shqiptare, nderi i shtetit shitet si sukses i një njeriu, ndërsa llogaria e shtetit shtyhet si bezdi e ditës.
Letra e publikuar nga Rama tashmë ka mbushur lajmet e faqet e çdo media dhe i përket fakteve.
Mirëpo kuptimi i saj politik dhe moral nis aty ku mbaron entuziazmi, sepse një nder i tillë nuk i jep askujt licencë të jetë më pak i përgjegjshëm, përkundrazi, i vendos më shumë barrë mbi supet e atij që qeveris.
Kjo barrë mund të shndërrohet në pjekuri shteti, nëse qeveria e lexon ftesën si detyrim për t’u bërë më e rregullt, më e hapur dhe më e përmbajtur në sjellje, por e njëjta barrë shndërrohet në rrezik për republikën, nëse ftesa lexohet si mundësi për të shtyrë pyetjet e brendshme dhe për të krijuar idenë se një nder ndërkombëtar e bën pushtetin të paprekshëm.
Nderi i jashtëm i Shqipërisë vlen vetëm kur e rrit provën dhe rregullin brenda vendit, sapo përvetësohet për të mbrojtur një pushtet, ai nder kthehet në rrezik për republikën, sepse nis të dobësojë vetë burimin e besimit.
Kjo nuk është një sentencë për t’u cituar, por një ligjësi që e shohim sa herë shteti ngatërrohet me qeverinë dhe qeveria ngatërrohet me një njeri, besimi nuk rritet, vetëm shtyhet, dhe shtyrja e besimit në Shqipëri rrallë mbaron pa kosto.
Për shqiptarët, ftesa ka kuptim të mirë në planin simbolik, sepse Shqipëria ftohet të marrë pjesë në një nismë me peshë ndërkombëtare dhe një vend i vogël nuk e ka luksin t’i përbuzë këto hapësira.
Por kuptimi real për jetën e njerëzve nuk lind nga fjala “themelues”, as nga fjala “krenari”, as nga tingujt e mëdhenj të një postimi kryeministror, ai lind nga ajo që ndodh më pas në terrenin ku vendi ynë vuan më shumë, te përgjegjësia dhe mënyra si pushteti i përgjigjet provës.
Kur një shtet përfshihet në tryeza rendi e paqeje, pritja për sjellje të brendshme ngrihet, sepse aleati nuk e do partnerin si rrëfim, por si standard, dhe në një standard serioz, as drejtësia nuk shtyhet nga atmosfera e ditës, as kontratat nuk humbasin në mjegull, as e drejta e qytetarit nuk trajtohet si detaj i lodhshëm.
Për Shqipërinë si shtet, kuptimi është edhe më i mprehtë, një vend që përmendet si palë në një nismë të madhe për paqen, rindërtimin dhe sigurinë, e ka të pamundur të sillet brenda si vend që e mban rendin me improvizim.
Një marrëdhënie e fortë me Perëndimin nuk mbahet me simpati të çastit, por me një rregull të thjeshtë që e kupton çdo qytetar, institucionet duhet të mbeten më të forta se individët, sepse sapo individi bëhet më i fortë se institucioni, nderi i jashtëm shndërrohet në dekor, ndërsa brenda vendit fillon rrëshqitja drejt varësisë dhe drejt frikës.
Pikërisht për këtë arsye, një ftesë e tillë nuk e dobëson boshtin e drejtësisë, përkundrazi, e forcon pritjen që drejtësia të mos trajtohet si instrument i ditës, por si shina e vetme ku ecën republika.
Për vetë Edi Ramën, ftesa është një mundësi politike, sepse i jep atij një hapësirë ku mund të projektojë figurë ndërkombëtare, dhe ky projektim i shërben pushtetit në çdo klimë të brendshme.
Por ftesa është edhe prova më e vështirë, sepse e vendos përballë zgjedhjes midis provës dhe përshtypjes, midis llogarisë dhe rrëfimit.
Këtu del në shesh mekanika e qeverisjes së tij, jo si epitet, por si mënyrë, ai përpiqet ta zhvendosë peshoren nga prova te përshtypja dhe nga pasojat te një klimë emocioni, sepse në atë terren vonohet llogaria dhe fitohet kohë, dhe koha, kur blihet me shkëlqim të jashtëm, kthehet shpejt në një përpjekje për ta bërë shoqërinë të merret me ndjenjën e momentit e jo me pyetjet që s’duan të shtyhen.
Kjo është arsyeja pse superlativi nuk është thjesht stil, por instrument, ai blen hapësirë për t’u shmangur nga prova dhe për t’u futur në zonën ku çdo gjë shihet, por pak gjëra peshohen.
Këtu kthehet refreni për herë të parë si kriter i gjallë, Rama apo Shqipëria?
Nëse ftesa trajtohet si nder i Shqipërisë dhe si detyrim për të rritur standardin e brendshëm, Shqipëria fiton në një kuptim që zgjat edhe pasi lajmi të ketë ikur.
Nëse ftesa trajtohet si kapital vetjak, që e bën pushtetin të duket më i madh se ligji, atëherë Shqipëria nuk fiton, Shqipëria thjesht e shtyn edhe një herë atë përballje të dhimbshme me veten, për të cilën çdo shoqëri e lodhur paguan dyfish.
Refreni kthehet për herë të dytë, kësaj radhe në raport me drejtësinë, Rama apo Shqipëria?
Nëse nderi i jashtëm shndërrohet në një nënkuptim mbrojtjeje personale, atëherë rreziku nuk është thjesht politik, por institucional, sepse institucionet fillojnë të ndjejnë se mbi ta po vendoset një hije, jo me urdhër të shkruar, por me atmosferë të fryrë, dhe një drejtësi që nis të mendojë me frikë nga atmosfera e pushtetit, e humb funksionin e saj republikan.
Nëse Shqipëria e mban ftesën në nivel shteti dhe e kthen në standard sjelljeje, atëherë edhe drejtësia, edhe Gjykata Kushtetuese, edhe vetë shoqëria marrin një sinjal të shëndoshë, askush nuk e përdor nderin për të zbutur pasojën, sepse kjo do ta kthente aleancën në pazar dhe shtetin në dekor.
Në këtë pikë, dallimi midis prestigjit dhe atij që kërkon të bëhet inxhinier i përshtypjes del vetvetiu, pa nevojë talljeje, prestigji është nder që të rëndon mbi supe dhe të detyron të jesh më i drejtë, inxhinieria e përshtypjes është përpjekja për ta kthyer nderin në marifet, që shoqëria të merret me ndjenjën e çastit dhe të mos kthehet te ajo që djeg vërtet.
Rama e ka bërë këtë lojë prej vitesh, ai nuk e lufton provën me argument të plotë, por e lodh provën me rrëfim, duke shpresuar se lodhja e publikut do ta bëjë llogarinë të duket e panevojshme.
Kjo është arsyeja pse një letër e madhe është provë karakteri, sepse e vë përballë pikërisht asaj që rrëfimi nuk e administron dot gjatë: pasojës.
Refreni kthehet për herë të tretë si zgjedhje kulture, Rama apo Shqipëria?
Kjo nuk zgjidhet vetëm në parlament dhe as vetëm në shesh, zgjidhet në kulturën e përgjigjes, në mënyrën si shoqëria e mban pyetjen gjallë pa u bërë turmë e pa u bërë cinike.
Pikërisht këtu, Shqipëria Mendonjëse, Pakti Kombëtar i Urtisë dhe Kuvendimi i Urtisë kanë vendin e tyre jo si stoli, por si mburojë e qytetarisë ndaj alibisë.
Sa herë nderi mund të privatizohet dhe të kthehet në mbulim, shoqëria ka nevojë për një kulturë që e mbron nderin nga alibia dhe provën nga rrëfimi, sepse pa këtë kulturë, edhe një lajm i mirë përdoret për të blerë kohë, ndërsa koha e blerë kthehet në kontroll mbi frikën dhe mbi hutimin.
Urtia, e kuptuar si rend i mendimit dhe si disiplinë e fjalës, nuk e mohon politikën, ajo e pastron politikën nga fjalët që mbulojnë, duke e kthyer pyetjen e përgjegjësisë në shprehi të përhershme të shoqërisë.
Në fund, ftesa është nder për Shqipërinë dhe provë për qeverisjen, sepse i vendos pushtetit një pasqyrë që nuk i pranon marifetet, ose nderi shndërrohet në disiplinë dhe e rrit rregullin e brendshëm, ose nderi shndërrohet në mbulim dhe e dobëson republikën pikërisht aty ku ajo kërkon të ngrihet.
Kur kamerat nuk shohin dhe kur lajmi i ditës ka pushuar së qeni lajm, mbetet vetëm pyetja e heshtur që i jep kuptim gjithë kësaj historie, a u përdor nderi për të rritur standardin e shtetit, apo u përdor për të vonuar pasojën?
Përgjigjja nuk është teorike, ajo prek qytetarin te fatura, te siguria, te puna, te e ardhmja e fëmijëve, sepse aty matet nëse shteti është rend apo thjesht rrëfim.







