Ballina Dossier Gazeta australiane (1929) / Një rrëfim për gratë e Shqipërisë

Gazeta australiane (1929) / Një rrëfim për gratë e Shqipërisë

29
0

Nga Aurenc Bebja, Francë 

Gazeta australiane “The Lithgow Mercury” ka botuar, të mërkurën e 8 majit 1929, në faqen n°5, një rrëfim asokohe për gratë e Shqipërisë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Gratë e Shqipërisë

Burimi : The Lithgow Mercury (Australi), e mërkurë, 8 maj 1929, f. 5

Burimi : The Lithgow Mercury (Australi), e mërkurë, 8 maj 1929, f. 5

Në një ditë me diell, vështirë se mund të mos e vësh re pamjen e një gruaje shqiptare. E gjatë dhe hijerëndë, ajo lëviz me hijeshi ; busti i saj i ngushtë prej kadifeje është i mbuluar me monedha ari, stoli argjendi, tokëza të smaltuara me ngjyra të ndezura dhe vargje rruazash shumëngjyrëshe. Mbulesa e kokës — zakonisht një kapuç i kuq prej mëndafshi, i ngushtë pas koke — është e qëndisur me fije ari dhe argjendi, dhe rreth e rrotull i janë qepur monedha të rënda ari.

Ato jetojnë në një vend me male të zymta dhe lumenj të errët e të rrëmbyeshëm, megjithatë lulet e mrekullueshme dhe qielli blu i thellë u kanë mësuar vlerën e vërtetë të ngjyrës. Këtë dashuri për ngjyrën e sjellin në veshjet e tyre dhe në shtëpitë e pastra e të rregullta. Me gishta të shpejtë e të shkathët, krijojnë motive të zgjuara e të papritura në pantallonat e kuqe dhe jeshile të ndezura që veshin burrat dhe djemtë e tyre. Ato kujdesen shumë që rrobat e meshkujve të familjes të jenë në harmoni me veshjen e tyre vezulluese.

Jeta e tyre është plot rrezik dhe pasiguri. Si komb, shqiptarët nuk duan asgjë më shumë se luftën “për një kauzë të drejtë”, dhe gratë e tyre mësohen që në moshë të vogël të përdorin hanxharin dhe të mbajnë pushkën mbi supe. Jeta në shtëpi të ngjeshura mes maleve ose të ngritura në maja të rrezikshme i ka forcuar si duart ashtu edhe zemrat e grave shqiptare. Të ëmbla janë buzëqeshjet që u dhurojnë miqve, por sytë e tyre të errët mund të shpërthejnë në një tërbim që nuk premton mëshirë për armikun.

Edhe pse, si popull, ata pohojnë besimin islam, gratë shqiptare gëzojnë një liri të paimagjinueshme në vendet rreptësisht myslimane. Ato dalin me fytyrat e tyre të bukura të pambuluara dhe nuk shmangin të huajt. Megjithatë, në jetën familjare mbizotëron ligji mysliman dhe burri është zotëria dhe sundimtari suprem i shtëpisë. Por, ndryshe nga myslimanë të tjerë, ato nuk heqin dorë nga vera.

Paja e nuses përbëhet kryesisht nga monedha të lashta ari. Një nga zakonet më të çuditshme të martesës është ceremonia në të cilën nusja tërhiqet me forcë drejt shtëpisë së dhëndrit nga vëllezërit ose xhaxhallarët e saj. Edukata e mirë kërkon që ajo të tregojë rezistencë të dhunshme gjatë gjithë rrugës dhe, nëse nuk ulërin mjaftueshëm, kjo merret si shenjë se jeta e saj martesore nuk do të shkojë mirë.