Ballina Rajoni ‘Hajdutë!’ – Mijëra në protestë kundër Vuçiç, studentët vijojnë betejën kundër korrupsionit:...

‘Hajdutë!’ – Mijëra në protestë kundër Vuçiç, studentët vijojnë betejën kundër korrupsionit: T’u hetohet pasuria

24
0

Mijëra njerëz protestuan mbrëmë në qytetin serb të Novi Sadit, ndërsa studentët universitarë, të cilët prej më shumë se një viti kanë udhëhequr protesta masive, janë zotuar se do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit të përhapur gjatë qeverisjes së presidentit nacionalist të djathtë, Aleksandar Vuçiç.

Protestuesit, duke brohoritur “hajdutë”, akuzuan qeverinë për korrupsion të shfrenuar. Studentët universitarë u thanë të pranishmëve të shtunën (17 janar 2026)  se kishin hartuar një plan për të çrrënjosur korrupsionin në Serbi dhe për të rikthyer sundimin e ligjit. Ata propozuan ndalimin e zyrtarëve të korruptuar nga përfshirja në politikë dhe hetimin e pasurisë së tyre si hapat e parë për një qeveri pas Vuçiçit.

Protesta u quajt “Çfarë do të thotë fitorja”. Muajin e kaluar, studentët deklaruan se kishin mbledhur rreth 400 mijë firma në mbështetje të kandidimit të tyre në zgjedhje.

Tubimi i radhës protestues është planifikuar për më 27 janar në kryeqytetin serb, Beograd, njoftuan organizatorët.

Protestat e rregullta të udhëhequra nga studentët kanë përfshirë Serbinë që prej nëntorit 2024, pas një aksidenti në stacionin e trenit në një qytet verior, ku humbën jetën 16 persona, ngjarje që u shndërrua në simbol të korrupsionit të rrënjosur thellë.

Trembëdhjetë persona, përfshirë ish-ministrin e Ndërtimit Goran Vesic, u akuzuan në një çështje penale për shembjen e çatisë së stacionit. Gjykata e Lartë e Novi Sadit hodhi poshtë akuzat ndaj Vesic muajin e kaluar, duke argumentuar mungesën e provave.

Një hetim i veçantë kundër korrupsionit vijon paralelisht me një hetim të mbështetur nga Bashkimi Evropian për keqpërdorimin e mundshëm të fondeve të BE-së në këtë projekt.

Dhjetëra mijëra persona shënuan në nëntor përvjetorin e parë të shembjes së çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad, duke mbajtur 16 minuta heshtje në nderim të 16 viktimave të tragjedisë.

Protestat pas shembjes së stacionit të trenit kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrit, rrëzimin e qeverisë së tij dhe formimin e një qeverie të re. Megjithatë, Vuçiç ka mbetur sfidues në detyrë.

Vuçiç ka mohuar akuzat për korrupsion dhe i ka cilësuar vazhdimisht protestuesit si komplotistë të financuar nga jashtë, ndërsa anëtarë të partisë së tij SNS kanë përhapur teori konspirative, duke pretenduar se shembja e çatisë së stacionit të trenit mund të ketë qenë një sulm i orkestruar. Vuçiç ka refuzuar të shpallë zgjedhje të parakohshme të menjëhershme, të cilat janë kërkuar nga studentët. Qindra persona janë ndaluar, ose kanë raportuar se kanë humbur vendet e punës apo janë përballur me presione për shkak të kundërshtimit të qeverisë.

Vuçiç erdhi në pushtet më shumë se një dekadë më parë, duke premtuar se do ta çonte Serbinë drejt Bashkimit Evropian. Por që atëherë, ai ka forcuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën, ndërsa është përballur me akuza për kufizimin e lirive demokratike në Serbi dhe për lejimin e përhapjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lëvizja studentore ka fituar mbështetje të gjerë mes qytetarëve serbë, të cilët në masë të madhe janë të zhgënjyer nga politikanët tradicionalë. Vuçiç ka akuzuar studentët se veprojnë sipas urdhrave të papërcaktuar perëndimorë për të “shkatërruar Serbinë”.