Ballina Politika “Kush e ka fajin për vjedhjen e zgjedhjeve?!” Salianji: Të çlirojmë potencialin...

“Kush e ka fajin për vjedhjen e zgjedhjeve?!” Salianji: Të çlirojmë potencialin e demokratëve, nuk mund të ecim qorrazi pas humbjeve

23
0

Ish-deputeti Ervin Salianji ka vijuar turin e takimeve me bazën e mbështetësve të Partisë Demokratike, duke u ndalur këtë herë në qytetin e Lezhës, ku mbajti një fjalim kritik dhe thirrës për reflektim brenda forcës opozitare.

Në fjalën e tij, Salianji vlerësoi rolin e demokratëve të Lezhës, duke theksuar se janë pikërisht strukturat dhe baza që kanë mbajtur gjallë Partinë Demokratike dhe frymën e shpresës në të gjithë vendin. Sipas tij, Lezha meriton respektin e PD-së, të opozitës dhe të gjithë Shqipërisë për sakrificat e bëra ndër vite.

Salianji ngriti shqetësime të forta mbi arsyet pse PD vijon të mbetet në opozitë, pavarësisht skandaleve të qeverisë, duke kërkuar që të flitet hapur për humbjet zgjedhore dhe përgjegjësitë konkrete. Ai vuri në pikëpyetje mënyrën e përpilimit të listave, humbjet e përsëritura në disa qarqe dhe faktin që, sipas tij, shpesh promovohen humbësit, ndërsa demokratët aktivë dhe luftarakë mbeten të margjinalizuar.

Duke bërë thirrje për ndryshim qasjeje, Salianji theksoi se PD nuk mund të ecë përpara nëse nuk çlirohet potenciali i demokratëve dhe nëse vijon politika e justifikimeve dhe ankesave. Ai u shpreh se është koha për të reaguar dhe për t’i thënë “jo” një politike që, sipas tij, vetëm sa e mban opozitën në vendnumëro.