Nga Sokol Neçaj
Lufta 24-orëshe mediatike për “ftesën” për Bordin e Paqes për Gazën, nuk ishte një debat politik. Ishte një duel refleksesh primitive. Nga njëra anë, përkrahësit e Edi Ramës e ngritën një procedurë multilaterale në rang “ngjarjeje epokale”; nga ana tjetër, kundërshtarët, pasi dështuan ta mohonin faktin, rrëshqitën në tallje, nënçmim dhe gjuhë brutale, duke e reduktuar gjithçka në vulgaritet personal.
Të dyja palët gabuan. Dhe gabimi nuk ishte thjesht stilistik; ishte moskuptim i thellë i mënyrës se si funksionon politika ndërkombëtare.
Në fazën e parë, skeptikët e Ramës vinin në dyshim vetë ekzistencën e ftesës. Ishte reagim tipik i politikës shqiptare: Mohimi si instinkt. Kur u bë e qartë se letra ekzistonte dhe se ishte pjesë e një kuadri më të gjerë ndërkombëtar, taktika ndryshoi menjëherë: Nga mohimi, kaluan te nënvleftësimi. “Është ftesë shabllon”, “janë 100 vende”, “nuk ka asgjë personale”. Të gjitha këto janë faktikisht të vërteta — por mënyra si u përdorën nuk kishte për qëllim sqarimin publik, por zhveshjen politike të kundërshtarit.
Nga ana tjetër, përkrahësit e Ramës ranë në grackën e kundërt. Një procedurë standarde diplomatike, u shndërrua në narrativë triumfi personal. U fol për “rol historik”, “status themelues”, madje për absurditete të tipit; “pjesë e kabinetit amerikan”. Këtu kemi të bëjmë me sindromën e vjetër shqiptare: Nevojën për t’u ndjerë të zgjedhur, edhe kur jemi thjesht një nga shumë.
Kishte shkrime që nuk ishin thjesht reagim opozitar; tekste të mbushura me fyerje, metafora seksuale dhe cinizëm vulgar që nuk synojnë të informojnë, por të poshtërojnë. Ato nuk i shërbejnë as të vërtetës, as kritikës politike serioze. Përkundrazi, ai tregon se edhe opozita, kur vjen puna te çështje të ndërlikuara ndërkombëtare, shpesh zgjedh instinktin e talljes në vend të analizës.
Ironikisht, përmbajtja faktike që prekin këto shkrime — se letra nuk ishte personale, se ishte e njëjtë për rreth njëqind vende, se nuk kishte status elitar — janë pikërisht elementët që duhej të përbënin bërthamën e një kritike racionale. Por ato humbin çdo forcë kur mbështillen me fyerje dhe insinuata.
Kjo është tragjedia e vogël e debatit shqiptar: E vërteta, kur vjen nga goja e gabuar dhe me tonin e gabuar, bëhet e padëgjueshme.
Në thelb, ky episod tregon mungesën e kulturës institucionale në të dy krahët. Qeveria nuk e shpjegoi me qetësi dhe qartësi natyrën procedurale të ftesës dhe kufijtë realë të rolit shqiptar. Opozita, në vend që ta detyronte qeverinë të sqarojë këta kufij, zgjodhi rrugën e banalizimit.
Dhe publiku mbeti mes dy ekstremeve: Ose të ndjehet krenar pa arsye, ose të qeshë me përçmim pa kuptuar asgjë.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, maturia është kapital. Një vend i vogël nuk fiton asgjë duke e mbivlerësuar rolin e vet, por humbet shumë duke e keqinterpretuar. Po aq, nuk fiton asgjë as duke e tallur veten dhe institucionet ku është pjesë. Diplomacia nuk është as orgazmë propagandistike, as shpotitje kafenesh.
Nëse ka një mësim nga kjo histori, ai është i thjeshtë: Një rezolutë ndërkombëtare kërkon shpjegim serioz, jo ekzaltim; dhe kritikë të ftohtë, jo vulgaritet. Pa këtë pjekuri minimale, çdo temë — sado serioze — do të përfundojë si kjo: Një zhurmë e madhe, me zero kuptim dhe një shans i humbur për t’u rritur si debat publik.
Në fund, problemi nuk ishte ftesa. Problemi ishte se asnjëra palë nuk u soll si shtetare. Dhe kjo, më shumë se çdo letër nga jashtë, tregon sa punë ka ende Shqipëria brenda.







