Statistikat zyrtare të Ministrisë së Turizmit për vitin 2025 konfirmojnë një tjetër vit rekord për sektorin, duke reflektuar si rritjen e fortë të flukseve turistike ashtu edhe përmirësimin e standardeve dhe kapaciteteve në të gjithë zinxhirin e ofertës turistike. Gjatë vitit 2025, Shqipëria u vizitua nga 12,466,038 vizitorë të huaj, një rritje prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, ose 769,960 vizitorë më shumë në terma absolutë, duke dëshmuar vazhdimësinë e interesit ndërkombëtar për vendin si destinacion.
Të dhënat sipas origjinës tregojnë se 4,662,571 vizitorë nga Kosova hynë në Shqipëri gjatë vitit 2025, me një rritje vjetore prej 5.3%, ndërsa nga vendet kufitare dhe rajoni u regjistruan flukse të konsiderueshme: nga Italia 1,292,560 vizitorë (+3.3%), nga Maqedonia e Veriut 932,555 vizitorë (+3.7%), nga Mali i Zi 781,813 vizitorë (+2.5%) dhe nga Greqia 803,979 vizitorë (+9.6%) krahasuar me një vit më parë. Rritje të ndjeshme u shënuan edhe nga tregjet e Bashkimit Evropian, ku 452,853 vizitorë nga Gjermania (+20.9%), 932,555 nga Mbretëria e Bashkuar (+21.6%), 781,813 nga Franca (+37%) dhe 803,979 nga Holanda (+9.4%) konfirmojnë zgjerimin e profilit ndërkombëtar të turizmit shqiptar. Edhe segmenti trans-atlantik vijoi trendin pozitiv, me 241,064 vizitorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (+8.7%) dhe 44,320 vizitorë nga Kanadaja (+11.9%) në vitin 2025.
Kjo rritje e flukseve turistike u reflektua drejtpërdrejt edhe në performancën ekonomike të sektorit, ku të ardhurat nga turizmi për 9-mujorin e vitit 2025 arritën në 4.4 miliardë euro, me një rritje prej 14.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Paralelisht me rritjen e kërkesës, infrastruktura dhe menaxhimi i hapësirave publike u zgjeruan ndjeshëm, duke përfshirë 1,014 parcela publike për sezonin 2025, ose 94% më shumë se një vit më parë, si dhe një zgjerim prej +1.1 milion m² plazhe publike, me rritje 17.4% krahasuar me 2024.
Statistikat e vitit 2025 tregojnë gjithashtu një progres të dukshëm në certifikime dhe akreditime, që reflektojnë përmirësimin e standardeve dhe profesionalizmit në sektor. Gjatë vitit u regjistrua një rritje prej 16.2% e certifikatave të kategorizimit për strukturat akomoduese, 27.3% më shumë klasifikime 4/5 yje dhe procese certifikimi ose rinovimi të brand-name, si dhe një rritje prej 42.6% në certifikimin e operatorëve të turizmit detar. Po ashtu, 34.4% më shumë subjekte u pajisën me certifikata “Udhërrëfyes Turistik”, ndërsa 33.3% ishte rritja e akreditimit të programeve të kualifikimit. Në segmentin e agroturizmit, certifikatat në fazë projektimi u rritën me 39.2%, ndërsa certifikimet operative shënuan një rritje prej 13.5% krahasuar me vitin 2024. /ekofin.al







