Ballina Editorial Si lartësohet emri i Shqipërisë!

Si lartësohet emri i Shqipërisë!

19
0

Nga Lutfi Dervishi 

Si lartësohet emri i Shqipërisë!
Kur nga Shqipëria njerëzit nuk ikin, por zgjedhin të qëndrojnë.
Kur uji i pijshëm rrjedh 24 orë në çdo rubinet.
Kur shërohesh këtu, pa e mbajtur frymën në rrugët e Stambollit.
Kur për studime të larta zgjedh Tiranën, jo sepse s’ke ku të shkosh, por sepse ia vlen.
Kur para ligjit nuk ka “të fortë” dhe të paprekshëm, por vetëm të barabartë.
Kur në zgjedhje garojnë platformat e partive, jo burimet e pafundme të pushtetit dhe krimit.
Kur krerët e policisë janë armiq të krimit, jo ortakë të tij.
Kur drejtësia vjen në kohë, jo si ambulancë pas funeralit.
Kur mosha e tretë nuk jeton me pensione lypësish.
Kur tenderët fitohen me meritë, jo me urdhër.
Kur kapitalistët i prodhon talenti, puna dhe gara, jo fondet publike.
Kur vendi nuk përmbytet kur bie shi, nuk thahet kur ka borë dhe nuk digjet kur ka diell.
Kur digat dhe pritat ndërtohen para shiut, jo kur lumenjtë kanë dalë nga shtrati.
Kur “partneri strategjik” nuk është sfond për selfie, por standard që jetohet.
Kur miqësia me aleatët matet me shtet funksional, jo me ftesa simbolike dhe statuse entuziaste.