Ballina Kuriozitete Universi ‘flet’ pas 13 miliardë vitesh: sinjal i rrallë nga një supernovë...

Universi ‘flet’ pas 13 miliardë vitesh: sinjal i rrallë nga një supernovë e lashtë

20
0

Shkencëtarët kanë zbuluar një sinjal misterioz 10-sekondësh që vjen nga një prej pikave më të largëta të universit. Dy satelitë tokësorë konfirmuan se sinjali buron nga rreth 13 miliardë vite-dritë larg, me shumë gjasë nga një supernovë që shpërtheu kur universi ishte vetëm 730 milionë vjeç.

Meqë drita udhëton me shpejtësi të kufizuar, vëzhgimi i objekteve shumë të largëta do të thotë të shohësh të kaluarën. Në këtë rast, sinjali përfaqëson një nga shpërthimet më të hershme yjore të regjistruara ndonjëherë, e quajtur GRB 250314A, një shpërthim rrezesh gama.

Rrezet gama janë forma më energjike e rrezatimit në univers, të padukshme për syrin e njeriut dhe të prodhuara nga shpërthime masive yjore. Ato shfaqen si ndezje shumë të shkurtra, por jashtëzakonisht të fuqishme. Ky shpërthim zgjati vetëm rreth 10 sekonda, si një fishekzjarr kozmik që lëshon energji të madhe dhe më pas shuhet.

Sinjali u zbulua për herë të parë me 14 mars 2025 nga sateliti SVOM, një projekt i përbashkët franko-kinez i ndërtuar për të kapur ngjarje të tilla në univers. Më vonë, Teleskopi Hapësinor James Webb (JWST) konfirmoi se burimi ishte vërtet një supernovë, duke vëzhguar shkëlqimin e saj të zbehtë disa muaj pas shpërthimit.

Ajo që i ka habitur shkencëtarët është fakti se kjo supernovë e lashtë duket pothuajse identike me supernovat moderne, ndonëse pritej që yjet e hershëm të ishin më të mëdhenj, më të nxehtë dhe më shpërthyes. Studime të publikuara në fund të vitit 2025 tregojnë se ndriçimi dhe rrezatimi i saj përputhen me shpërthime shumë më të vona në historinë e universit.

Kjo zbulon se sjellja e yjeve në universin e hershëm mund të ketë qenë më e ngjashme me atë të sotmen sesa mendohej, duke hapur një dritare të re për të kuptuar vitet e para të ekzistencës kozmike.