Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj shoqërive Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA, për sjellje të dyshuara kufizuese të konkurrencës në tregun me pakicë të shërbimeve celulare në Shqipëri. Vendimi është marrë nga Komisioni i Konkurrencës në mbështetje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pas një procesi monitorimi dhe hetimi paraprak që ka përfshirë periudhën nga 1 janari 2022 deri në korrik 2025.
Sipas dokumentit zyrtar, hetimi është nxitur nga një sërë ankesash të paraqitura nga konsumatorët, të cilat lidhen kryesisht me rritjen e çmimeve të paketave me parapagese dhe përfshirjen e klauzolave të indeksimit të çmimeve me inflacionin në kontratat e pajtimtarëve. Autoriteti vlerëson se këto praktika mund të krijojnë pasiguri për konsumatorët dhe të transferojnë mbi ta barrën e rrezikut financiar të inflacionit, duke cenuar parimin e transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Në analizën e tregut, Komisioni i Konkurrencës evidenton se tregu me pakicë i shërbimeve celulare në Shqipëri është një treg shumë i përqendruar, ku operojnë vetëm dy ndërmarrje të integruara vertikalisht. Referuar të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për vitin 2023, Vodafone Albania mban pjesën më të madhe të tregut për të ardhurat, volumin e të dhënave dhe përdoruesit aktivë të internetit celular, ndërsa One Albania zotëron pjesën tjetër dominuese të tregut, duke e bërë konkurrencën efektive të kufizuar në praktikë.







