Ballina Lifestyle I jepet sot lamtumira Princeshës Irenë, motrës së ish-Mbretëreshës Sofia

I jepet sot lamtumira Princeshës Irenë, motrës së ish-Mbretëreshës Sofia

31
0

I mbuluar me flamurin grek, arkivoli me trupin e Princeshës Irenë, motrës së ish-Mbretëreshës Sofia të Spanjës, e cila u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare, mbërriti në Mitropolinë e Athinës pak para orës 08:00 të mëngjesit.

Trupi i saj u vendos në nderim publik në kapelën e Mitropolisë deri në orën 10:30, ndërsa shërbesa mortore do të zhvillohet në orën 12:00. Në funeral pritet të marrin pjesë figura të larta mbretërore europiane, mes tyre Mbreti Felipe VI i Spanjës, bashkëshortja e tij Letizia, si dhe vajzat e tyre, Princesha e Kurorës Leonor dhe Infanta Sofia. Familja mbretërore britanike do të përfaqësohet nga Sir Timothy Lawrence, bashkëshorti i Princeshës Anne, dhe Zonja Gabriella Kingston.

Mungesë e rëndësishme do të jetë ajo e ish-Mbretit Juan Carlos, i cili, për shkak të problemeve serioze shëndetësore, është këshilluar nga mjekët të mos udhëtojë nga Abu Dhabi, ku jeton aktualisht. Gjithashtu, në ceremoni nuk do të marrë pjesë as Marie Chantal, bashkëshortja e Paul de Gres, për shkak të një operacioni të fundit të nënës së saj në New York.

Pak minuta pas mbërritjes së arkivolit, qytetarë të shumtë nisën t’i japin lamtumirën Princeshës Irenë, një figurë e veçantë e dinastisë mbretërore greke. E njohur për natyrën e saj të pazakontë dhe shpesh e quajtur me nofkën “Tia Pecu” – “halla e çuditshme” – ajo ishte gjithmonë në paqe me individualitetin e saj.

Ndryshe nga pritshmëritë e rrepta të protokollit mbretëror, Princesha Irenë zgjodhi një jetë larg pompozitetit dhe roleve tradicionale, duke mos u martuar dhe duke mos pasur pasardhës. Megjithatë, ajo kurrë nuk u konsiderua si “delja e zezë” e familjes, por si një personalitet sui generis, i përkushtuar ndaj lidhjeve familjare dhe vlerave njerëzore mbi statusin dhe etiketën mbretërore. Princesha Irenë do të mbahet mend si një grua fisnike që zgjodhi të jetonte sipas bindjeve të saj, duke lënë pas një trashëgimi të veçantë brenda historisë së familjeve mbretërore evropiane.