Ballina Ekonomia Miniera pranë banesave dhe burimeve ujore, auditimi i KLSH zbulon shkelje të...

Miniera pranë banesave dhe burimeve ujore, auditimi i KLSH zbulon shkelje të rënda dhe paligjshmëri

27
0

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar rezultatet e auditimit tematik “Për auditimin e procedurave të dhënies së lejeve, licensave dhe monitorimin e aktivitetit minerar me vendndodhje në Rasek, Shkodër”. Auditimi ka vlerësuar mënyrën e ushtrimit të aktivitetit minerar nga shoqëria “B. C.” sh.p.k. dhe nënkontraktori “NGA G” sh.p.k. në zonën minerare nr. 2/6 “Rasek”, Qarku Shkodër.

Raporti evidenton se aktiviteti minerar është zhvilluar pa përmbushur plotësisht kërkesat ligjore, mjedisore dhe institucionale. Mangësitë janë konstatuar që nga shpallja e zonës minerare, procedurat e dhënies së lejeve minerare dhe mjedisore, deri te menaxhimi dhe monitorimi i aktivitetit në terren.

Sipas auditimit, koordinatat e miratuara për shfrytëzimin nuk përputhen me vendndodhjen faktike të aktivitetit, i cili ndodhet rreth 200 metra në vijë ajrore nga banesat më të afërta, duke rritur rrezikun për komunitetin lokal dhe për zonat me vlera të veçanta natyrore dhe kulturore.

Një tjetër problematikë e rëndësishme lidhet me mungesën e rregullave të qarta dhe standardeve teknike për distancat mbrojtëse midis aktiviteteve minerare dhe zonave të banuara, çka sipas KLSH përbën boshllëk serioz në kuadrin rregullator.

Aktivitet në fond pyjor pa miratim ligjor

Auditimi konstaton se “B. C.” sh.p.k. ka ushtruar aktivitet minerar në një sipërfaqe që vijon të jetë pjesë e fondit pyjor për periudhën 2017–2025, pa marrë miratimin e detyrueshëm sipas legjislacionit në fuqi. Megjithëse Bashkia Shkodër ka njoftuar institucionet qendrore për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm në fondin pyjor dhe kullosor, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve nuk kanë ushtruar kompetencat e tyre ligjore.

Nga ana tjetër, Bashkia Shkodër nuk ka administruar dokumentacion ligjor tekniko-vlerësues mbi ndërhyrjet e paligjshme, impaktet në ekosistem dhe dëmtimet në basenin ujëmbledhës të përroit Rasek, duke mos dëshmuar veprime konkrete për zbatimin e legjislacionit për pyjet dhe mjedisin.

Mangësi në lejet mjedisore dhe zbatimin në terren

Procedura për pajisjen me leje mjedisi për “NGA G” sh.p.k. është shoqëruar me mangësi që nga dokumentimi, ndjekja e procedurës ligjore e deri te zbatimi në terren. Auditimi vëren mungesën e instalimit të impiantit të fraksionimit, fakt i verifikuar gjatë kontrollit në terren në prani të institucioneve dhe vetë subjektit.

Verifikimet kanë konstatuar shkelje të rënda të kushteve të lejes mjedisore, përfshirë depozitimin e materialeve sterile dhe inerteve në shtratin e përroit, ndryshimin e trasesë së rrugës së kantierit në kundërshtim me projektin e miratuar, ndërtimin e veprave teknike të paparashikuara, ndërhyrje të pakontrolluara në terren dhe rrezikim të infrastrukturës së ujit të pijshëm.

Verifikimi në terren dhe rreziku për burimet ujore

Aktiviteti minerar në vendburimin “Rasek”, në Njësinë Administrative Postribë, u verifikua pas ankesave të banorëve, mbi bazën e Autorizimit nr. 193 prot., datë 30.01.2025. Më 1 prill 2025, grupi i punës i KLSH konstatoi se burimi i ujit të pijshëm ndodhet pranë përroit Rasek dhe është i ekspozuar ndaj ndotjes dhe përmbytjeve. Pusetat shkarkuese janë pjesërisht në shtratin e përroit, ndërsa uji për përdorim teknologjik merret përmes pompimit direkt nga trupi ujor, si nga “B. C.” sh.p.k., ashtu edhe nga “NGA G” sh.p.k.

Po ashtu, u evidentua depozitimi i mbetjeve sterile jashtë sipërfaqes së lejes minerare, ndryshimi i infrastrukturës rrugore nga projekti fillestar dhe ndërtimi i një ure provizore mbi përrua, e cila nxit ndotjen nga mjetet e tonazhit të rëndë.

Auditimi konstatoi gjithashtu mospërputhje mes raporteve të mbikëqyrjes, sistemit RevZonë dhe planeve vjetore të punës, veçanërisht për numrin e punonjësve, sigurimin e jetës, prodhimin e raportuar dhe tregues të tjerë operacionalë, në kundërshtim me Ligjin nr. 10304/2010.

Një gjetje kryesore lidhet me sigurimin e jetës së punonjësve: ata janë siguruar me prim sigurimi 3,000 lekë, në kundërshtim me VKM nr. 1109/2008, e cila parashikon shumë minimale sigurimi 6,000,000 lekë dhe prim minimal 0.5% të kësaj shume.

Raporti nënvizon mungesën e monitorimit dhe inspektimeve periodike nga institucionet përgjegjëse, duke lejuar ushtrimin e aktivitetit minerar pa mbikëqyrjen e nevojshme. KLSH rekomandon që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, të mbështesin veprimet ligjore të Bashkisë Shkodër për bllokimin e menjëhershëm të punimeve në fondin pyjor dhe kullosor, si dhe, sipas rastit, sekuestrimin dhe konfiskimin e mjeteve të përdorura për zënien, gërryerjen dhe tjetërsimin e këtij fondi. Auditimi e cilëson situatën në Rasek si një rast tipik të dështimit të koordinimit institucional dhe të zbatimit të ligjit në sektorin minerar dhe mjedisor. /ekofin.al